Itali, Berluskoni shpëton, i mbijeton votëbesimit të 53-të
Kryeministri i diskutueshëm italian, Silvio Berluskoni, dje i mbijetoi një votëbesimi vendimtar, të cilin nëse nuk do ta kalonte, do të ishte i detyruar të jepte menjëherë dorëheqjen. Berluskoni mbijetoi në pushtet për të pritur votëbesimin e tij të ardhshëm, një proces tashmë i bërë i zakonshëm për të dhe qeverinë e tij, e cila po përballet dhe polemika, kryesisht për shkak të skandaleve të shkaktuara nga Kryeministri dhe femrat e tij. Fitorja e votëbesimit ishte e ngushtë. Berluskonit i nevojiteshin 309 vota për të evituar dorëheqjen, por ai arriti që të merrte votat e 316 deputetëve, ndërsa 301 votuan kundër tij. Përpara votimit, miliarderi italian Berluskoni e kishte parashikuar se do të fitonte. Deklarata e tij ishte brohoritur nga koalicioni qeverisës i qendrës së djathtë, ndërsa opozita e kishte fërshëllyer. Ky ishte votëbesimi i 53-të me të cilin është përballur Berluskoni që kur mori mandatin e fundit, në zgjedhjet e vitit 2008 dhe tashmë komentuesit politikë thonë se ai nuk mund të rezistojë edhe shumë në detyrë, sidomos tani që po përballet me katër procese gjyqësore. Menjëherë pas votimit, Berluskoni tha se “do të transferoj zyrën time qendrore të punës brenda Parlamentit”, për të treguar se ai do me të vërtetë të zgjidhë problemet e Italisë dhe më pas ka shtuar: “Ne kemi arritur të mundim tentativën e vrasjes nga opozita”. Berluskoni ishte nën presion, pasi koalicioni i tij u mund këtë javë në Parlament gjatë një votimi mbi gjendjen e llogarive publike të vendit. Ai i kërkoi Parlamentit ta votojë sepse: “Kjo duhet bërë për shkak të rreziqeve që po kalon vendi”. Italia, ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë, ka një borxh prej më shumë se 1 trilion eurosh apo 120 për qind e GDP-së së saj.
Spanja bie përsëri në renditje
Renditja kredituese e Spanjës është ulur për herë të dytë brenda një jave, për shkak të papunësisë së lartë dhe borxheve të sektorit publik, madje vendi është paralajmëruar se shumë shpejt mund të ulet sërish në renditje. “Standard & Poor’s” e renditi vendin nga AA në AA-. Disa ditë më parë, renditja e vendit ishte ulur edhe nga agjencia “Fitch”. Lajmi u njoftua, ndërsa ministrat e Financave dhe krerët e bankave qendrore të 20 ekonomive më të mëdha në botë u takuan në Paris për të gjetur një zgjidhje urgjente për krizën e borxheve.
Protesta
Votimi ndodhi përpara një mitingu masiv në Romë, i planifikuar për sot, me 200 000 protestues pritet të deklarojnë zemërimin e tyre mbi mënyrën se si Berluskoni dhe qeveria e tij po dështojnë të menaxhojnë krizën ekonomike, që po kërcënon të përmbysë Italinë.