E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Serbia do të pranojë misionin e BE-së në Kosovë

BEOGRAD- “Serbia është e gatshme të pranojë misionin e Bashkimit Europian në Kosovë”.

Deklaratën e ka bërë presidenti serb Boris Tadic, pas një takimi me homologun e tij cek Vaklav Klaus në Pragë. Ai foli për takimin e një jave më parë në Beograd me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku tha se u ra dakord që Beogradi të pranojë praninë e EULEX-it në Kosovë në vend që të vazhdojë të insistojë që të jenë Kombet e Bashkuara ato që duhet të administrojnë rajonin deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit.

“Në bisedimet tona në Beograd, këndvështrimi i kancelares Angela Merkel ishte që Serbia të sigurojë funksionimin e EULEX-it në të gjithë Kosovën dhe Beogradi t’i rikthehet bisedimeve me Prishtinën”- tha Tadiç.

Sipas tij, të dyja kërkesat janë totalisht të pranueshme për Serbinë. “Ne duam dialog ashtu sic e nisëm dhe kemi insistuar për të, dhe kemi bërë maksimumin që të sillnim EULEX-in në Kosovë për ta ndihmuar që të kryente misionin e vet në mënyrë neutrale ndaj statusit të Kosovës”, –deklaroi presidenti serb.

Por, një tjetër kërkesë e Merkel gjatë takimit me Tadic javën e kaluar ishte që Serbia të pranojë EULEX-in dhe të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.

Sa i përket kësaj të fundit, Tadic tha sot se Serbia nuk do të tërheqë përfaqesuesit e saj nga Kosova veriore.  E sa i përket pavarësisë së Kosovës, Tadic tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë për sa kohë ai do të jetë president.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›