Tadiq: Propozimi i Prishtinës është jashtë çdo realiteti

“Situata është më e keqe se mbrëmë për shkak të mënyrës në të cilën Prishtina propozon zgjidhje”, u ka thënë kryetari i Serbisë, Boris Tadiq gazetarëve në Beograd duke shtuar se propozimi i Prishtinës është “jashtë çdo realiteti”.
Tadiq ka thënë se është shumë vështirë të arrihet deri te statusi i kandidatit, por që ai deri në momentet e fundit do të angazhohet për të.
“Nuk varet vetëm nga ne por nga çdo shtet i BE-së”, ka thënë Tadiq duke shtuar se Serbia asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimet e saja strategjike të përfshira në formulën “Edhe BE, edhe Kosovën”.
Tadiq ka potencuar se është e pakuptueshme që çështja e zgjerimit të BE-së sot ndoshta po varet nga Prishtina, e cila jo vetëm që nuk është anëtare e BE-së, por nuk është as shtet në kuptim klasik të politikës ndërkombëtare.
“Është shumë vështirë të fitohet statusi i kandidatit, kjo është më se e qartë. Në çdo orë kemi përvoja të reja, por përpiqemi”, u ka thënë Tadiq gazetarëve.
I pyetur nëse pushteti në Beograd ka marrë vendim nëse zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në Kosovë, Tadiqi ka refuzuar të jap përgjigje të drejtpërdrejt, duke thënë se nëpër atë urë do të kalojnë kur të arrijnë para saj. Megjithatë ai ka ripërsëritur se Serbia kurrë nuk do të heq dorë nga ruajtja e integritetit të saj territorial në Kosovë.