E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj shpreh ngushëllime për gazetaren e vrarë

Pas vrasjes së gazetares Marie Colvin dhe kolegut të saj fotoreporter, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka shprehur ngushëllimet e tij.

Hoxhaj fuqishëm e ka dënuar këtë akt kundër vlerave të gazetarisë, duke shpresuar që populli sirian do të fitojë lirinë e tij shumë shpejt.

“Në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ju lutem të pranoni ngushëllimet tona më të thella. Me pikëllim të thellë kemi kuptuar për vdekjen e znj. Colvin dhe kolegut të saj, gjatë detyrës në qytetin Homs të Sirisë”, thuhet në deklaratën e Hoxhajt.

Ai vlerëson se Colvin me mjeshtëri dhe saktësi ka mbuluar ngjarjet në Kosovë dhe vende të tjera.

“Ajo do të mbahet mend edhe për trimërinë dhe dhembshurinë e saj për viktimat e luftës. Znj. Colvin asnjëherë nuk hezitoi të raportojë për mizoritë e bëra kundër civilëve gjatë luftës së Kosovës”.

Ministri Hoxhaj tha se raportet e saj ndriçuan të vërtetën dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm. Puna e saj për Hoxhajn ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm në shtegun pozitiv të njerëzimit dhe shërben si pishtar për punën e gazetarëve të tjerë.

“Ne, fuqishëm dënojmë këtë akt kundër vlerave të gazetarisë, duke shpresuar që populli sirian do të fitojë lirinë e tij shumë shpejt. Sot, populli dhe institucionet e Kosovës, së bashku me familjarët dhe kolegët e saj, janë në pikëllim të thellë për humbjen e një gazetareje madhështore të të drejtave të njeriut”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›