Tafaj: Kujdes me përjashtimin e nxënësve
“Kujdes me përjashtimin e nxënësve të të gjitha sistemeve arsimore”. Kjo ka qenë këshilla e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë me përfaqësuesit më të lartë të të gjitha drejtorive rajonale në shkallë vendi. është drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Arsimore Fier, Suzana Numani, ajo që ka shprehur për “Shqip” udhëzimin e ministrit. Drejtoresha Suzana Numani ka thënë se “ministri Tafaj, në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë, përveç kujdesit që duhet të tregonim, kryesisht për arsimin e lartë jopublik, ka dhënë udhëzime të qarta për mospërjashtimin e nxënësve të shkollave”. “Ministri nuk ka bërë dallime mes sistemeve arsimore dhe na ka udhëzuar që të kemi shumë kujdes me të gjithë nxënësit, si të shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme. Në një farë mënyre duhet të “tolerojmë” në formimin e nxënësve dhe të mos rrisim numrin e atyre që braktisin shkollën, apo që bëhen objekt përjashtimi”, ka thënë drejtoresha Suzana Numani.
Gjatë semestrit të parë të vitit arsimor 2009-2010, numri i nxënësve që janë përjashtuar në Fier ka qenë shumë i lartë. Kanë qenë si shkollat publike dhe ato jopublike që kanë “larguar” nxënësit. Më të prekura kanë qenë shkollat publike, pasi tek arsimi privat ruhet nxënësi. Por jo vetëm shkollat e mesme, edhe ato 9-vjeçare kanë aplikuar përjashtimet nga shkolla. Shumica e vendimeve për përjashtim kanë ardhur si pasojë e mosfrekuentimit të shkollës nga shumë nxënës. Shkollat në qendrat urbane janë më të prekura ag përjashtimet.
Gjithashtu, në drejtoritë rajonale është përcjellë edhe vendimi i reformës. Kjo e fundit është përgatitur në dy faza. Faza e parë do të prek punonjësit e administratës së drejtorive arsimore, kurse faza e dytë do të prekë mësuesit. Në Fier, 9 inspektorëve u është komunikuar largimi nga puna si shkak i shkrirjes së strukturës së inspektimit, kurse në Lushnjë 6 inspektorë janë
larguar. Drejtori i Arsimit në Lushnjë ka thënë se deri në fillim të qershorit reforma do të përfundojë në të dyja fazat dhe do të largohen edhe mësuesit që janë pa arsimin përkatës.
Si drejtoresha rajonale e Arsimit në Fier, Suzana Numani, edhe ai i Arsimit në Lushnjë, Nexhip Beqiri, kanë pohuar se viti i ri arsimor do të nisë me reformë të zbatuar e të përfunduar.
#