Tafaj: Rasti Kristal të mos damkosë universitetet private

TAFAJ NE KOMISIONIN E MEDIAS
Ministri i Arsimit raporton në Parlament për skandalin Bossi
Janë 40 institucione arsimore, vetëm 3 janë universitete
Pas skandalit Renzo Bossi, me diplomën e universitetit Kristal, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka raportuar dje para deputetëve të Komisionit të Arsimit dhe Medias.
Ministri i Arsimit ka deklaruar se sistemi arsimor privat nuk është i imunizuar ndaj rasteve të abuzimit dhe kjo mbetet një nga sfidat kryesore për të rritur procesin e mbikëqyrjes dhe kontrollit në këtë sektor. Sistemi jonë arsimor nuk është i imunizuar. Ne po hetojmë përmes grupeve të kontrollit të gjithë sistemin dhe jemi duke bashkëpunuar me institucione të tjera. Ky fenomen prek shumë vende. Në Ministrinë tonë ka diploma për njohje, që prej vitesh janë refuzuar, madje diploma të doktoratës, të lëshuara nga vendet perëndimore, theksoi Tafaj. Duke folur për rastin e denoncuar nga mediat italiane, për shitjen e diplomës për djalin Umberto Bossi-t, ministri Tafaj kërkoi nga deputetët që të mos përgjithësojnë këtë rast për të njollosur të gjithë sistemin arsimor privat. Ministri pohoi ndërkaq se sistemi arsimor privat ka njohur një progres të rëndësishëm dhe se rasti i Kristalit nuk duhet të damkosë të gjithë universitet private. Kreu i MASH thekoi se aktualisht ka nisur një hetim për stafet pedagogjike të Kristalit, duke kërkuar nga deputetët që të mos hedhin baltë mbi të gjithë sistemin arsimor. Universiteti Kristal nuk është se ka pasur ndonjëherë ndonjë vlerësim maksimal, por është vlerësuar përpjekja që ka bërë për investimet në infrastrukturë përpjekja për rekrutimin e stafit dhe përpjekja që ka bërë për progres për standardet akademike. Por, kjo nuk ka të bëjë në asnjë rast me abuzimet, theksoi ministri i Arsimit. Ai deklaroi se në total, nga 40 institucione arsimore, vetëm 3 kanë fituar statusin e universitetit. Sipas Tafajt, vetëm këto tri universitete kanë të drejtën e studimeve të ciklitit të tretë, pra të doktoraturës.
Debati
Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, e ka cilësuar si shumë shqetësuese faktin e pajisjes së deputetëve me diplomat e Kristalit. Sipas tij, Ministria duhet të marrë masa për këto raste, që rasti Bossi të mos ulet në karrigen e deputetit. A ka ndëshkime që të parandalojnë që të mos ketë Renzo Bossi as në Parlament, as në dikastere në qeverisje? MASH a ka luajtur rolin e vet ligjor për të kontrolluar licencat e dhëna ndaj këtyre strukturave jo publike?, theksoi deputeti Dalipi. Ndërkohë, deputetja e PD-së, Adriana Gjonaj, theksoi se maxhoranca ka denoncuar në polici rastin e zbuluar nga media për një diplomim të një deputeti të PS-së te universiteti Kristal. Në kemi kapur shumë raste diplomash false dhe ju e keni në radhët tuaja, sepse ne kemi çuar në polici një deputetin tuaj me diplomë false, tha deputetja e PD-së.
Qëndrimi
Nënkryetari i Komisionit, Mark Marku, kërkoi nga kolegët që të mos përgjithësojnë rastin e Kristalit për të goditur të gjithë sistemin arsimor. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kryetarja Valentina Leskaj. Në arsimin privat, padyshim që ka shkolla të arsimit të lartë që janë shumë të mira dhe nuk vihet shenja e barazimit, dhe ne nuk duhet ta përgjithësojmë atë, theksoi Leskaj.
Debati ne komision
Ledi Shamku: Më habitet zoti ministër me qetësinë tuaj, teksa thatë se vetëm 3 janë institucione të edukimit të lartë, vetëm tre prej tyre kanë marrë statusin e universitetit. Pjesa tjetër është pikëpyetje, dhe pyetja ime është shumë e thjeshtë: Pse Ministria nuk merr masa për këto universitete që nuk e kanë këtë statut?
Myqerem Tafaj: Ajo që thash është e saktë, që janë vetëm tri institucione të arsimit të lartë që kanë statusin e universitetit, por duhet të jetë e qartë që institucionet e arsimit që kanë statusin e universitetit kanë të drejtën e studimit të ciklit të tretë, pra të doktoraturës. Ndërkohë që institucionet e tjera kanë të drejtën e diplomë së nivelit të parë edhe të dytë të studimeve, dhe ato janë diploma universitare. Kështu që, do ju lutesha të mos kishim keqkuptime në këtë drejtim.
Fatmir Toçi: Në opinionin e përgjithshëm, universitete private konsiderohen si sh.p.k. për një njeri që i ka mundësitë financiare të duhura dhe të nevojshme që të pajiset shumë lehtësisht me një diplomë dhe këtu bëhet fjalë për shumë njerëz që punojnë në administratën publike, që këto diploma i kanë të nevojshme.
Myqerem Tafaj: Sistemi jonë arsimor nuk është i imunizuar. Ne po hetojmë përmes grupeve të kontrollit të gjithë sistemin. Dhe jemi duke bashkëpunuar me institucione të tjera. Ky fenomen prek shumë vende, në Ministrinë tonë ka diploma për njohje që prej vitesh janë refuzuar, madje diploma të doktoratës të lëshuara nga vendet perëndimore.
Mark Marku: Gjithë debati i kësaj kohe është përqendruar në rastin e falsifikimit të një diplome, për të hedhur poshtë të gjitha universitetet private dhe të gjithë arsimin privat që, mendoj se është një arritje e sistemit arsimor, dhe jo një problem i arsimit tonë. I ftoj kolegët që të mos bien në kurthin që ka rënë opinioni shqiptar për shkak të një falsifikimi, sepse është vetëm një falsifikim. Në të gjitha fushat dhe sektorët janë zbuluar falsifikime dhe nuk është hedhur poshtë i gjithë sektori dhe gjithë puna e të gjitha universiteteve, vetëm për shkak të një rasti, sepse është vetëm një rast. A keni ju një plan që duke u nisur nga ky rast i Kristalit, në një farë mënyrë duke i zbuluar ata që janë spekulantë në tregun e universiteteve private, të ndihmohen universitetet realisht serioze në sektorin privat?
Myqerem Tafaj: Ne synojmë që të rritet mbikëqyrja dhe të ketë vlerësime shumë më realiste. Futja e grupeve të vlerësimit, së paku të një eksperti të huaj, është një hap që duhet ta realizojmë. Politika jonë e liberalizimit të arsimit të lartë është krejtësisht e papajtueshme me çdo dukuri, abuzimi apo korrupsioni. Ne jemi të vendosur të zbatojmë ligjin dhe vetëm ligjin në të gjitha rastet e abuzimit.
Valentina Leskaj: Do të duhej skandali Bossi për tiu rikthyer dhe njëherë çështjes së arsimit të lartë publik. A ishte i monitoruar universiteti Kristal nga strukturat përgjegjëse për këtë, dhe cili ka qenë vlerësimin për cilësinë që ofron ky universitet?
Myqerem Tafaj: Stafi pedagogjik i Kristalit po hetohet edhe nga strukturat e tjera. Universiteti Kristal nuk është se ka pasur ndonjëherë ndonjë vlerësim maksimal, por është vlerësuar përpjekja që ka bërë për investimet në infrastrukturë, përpjekja për rekrutimin e stafit dhe përpjekja që ka bërë për progres në standardet akademike. Por, kjo nuk ka të bëjë në asnjë rast me abuzimet.
Alfred Dalipi: Mund të me thoni një rast kur MASH ka marrë masë gjobë për mashtrimet e universiteteve me marketingun fals dhe antiligjor? A ka ndëshkime që të parandalojnë që të mos ketë Renzo Bossi as në Parlament, as në dikastere në qeverisje. MASH a ka luajtur rolin e vet ligjor për të kontrolluar licencat e dhëna ndaj këtyre strukturave jo publike?
Ledi Shamku: Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i saj drejtohet me vendim të Sali Berishës nga këshilltari i tij, Bardh Musai, dhe ja ku jemi prapë zoti ministër.
Myqerem Tafaj: Zonjë, ai emër që ju përmendet është kryetar i Këshillit të Akreditimit dhe nuk ka qenë në atë kohë, nuk ka qenë në atë kohë këshilltar i Kryeministrit. Ai është përzgjedhur si profesor universiteti.
Gent S