Tafaj: Reforma në arsim dhe binjakëzime me Kosovën
Gjatë një konference shtypi, Tafaj theksoi se reformat në arsim deri në 2013 janë edhe më ambicioze, ku MASH do të jetë një institucion politikbërës dhe strukturave të saj do t’u delegohen kompetenca dhe përgjegjësi për investime. Ai deklaroi se sfida aktuale e universiteteve do të jetë sistemi i financimit, që do të jetë gati në vitin 2010. Më tej, kreu i MASH, tha se në 2010 shkollat do të kenë standardin e OECD/PISA(Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Ky standard, konfirmoi Tafaj, do të vlerësojë nivelin e të gjitha shkollave dhe diferencat midis tyre. Ndërsa në lidhje me sistemin e Maturës, ministri pohoi se nuk do të ketë ndryshime esenciale. Programet e kualifikimt për mësuesit është një tjerë plan për MASH-in gjatë vitit të ardhshëm. Ministri bëri të ditur se aktualisht sistemi arsimor ka një numër të madh mësuesish që kanë kryer studimet 5-vjeçare, të tjerë që kanë kryer studimet 4- vjeçare dhe studime pasuniversitare, ndërsa një pjesë e vogël e mësuesve duhet t’i nënshtrohet programeve të kualifikimit. Gjithashtu, Tafaj ka theksuar se arsimi i mesëm i detyrueshëm mbetet objektiv afatgjatë. Në reformën e arsimit parauniversitar pjesë të rëndësishme zë edhe kurrikula, për të cilën Tafaj vlerësoi se “jemi në rrugë të mbarë”. Ministri tha se tani ekziston Këshilli i Arsimit Parauniversitar, një nga detyrat e të cilit është politika e teksteve. Realizimi i braktisjes zero të arsimit është një tjetër objektiv madhor dhe për këtë do të funksionojë një plan konkret dhe kjo do të arrihet me anë të investimeve. Arsimi i lartë!Në funksion të cilësisë në arsimin e lartë është nënshkruar kontrata, me vlerë 250 mijë dollarë, më agjencinë gjermane të akreditimit DAAD (Shkёmbimi Akademik gjerman). Kjo agjenci, do të realizojë në fazën e parë një vlerësim të standardeve të zbatimit të Kartës së Bolonjës. Mbi bazën e këtij produkti do të shpallet edhe faza e dytë për të realizuar klasifikimin e diplomave të universiteteve publike dhe private. “Objektivi jonë është që lista e klasifikimit të universiteteve të jetë gati brënda shtatorit 2010”, deklaroi ministri. Tafaj konfirmoi se në vitin 2010 universiteteve private do t’u hiqet TVSH, sipas vendimit të fundit nga Këshilli i ministrave. Për të mbështetur arsimin privat, MASH ka krijuar një drejtori e posaçme, e impenjuar për t’i krijuar lehtësira arsimit të lartë privat. Që më 1 janar universitetet do të bëjnë hapin e parë drejt rritjes së autonomisë financiare. Tafaj deklaroi se të ardhurat e tyre do të planifikohen nga universitetet pa asnjë ndërhyrje nga MASH apo Ministria e Financave. Kjo pjesë e të ardhurave të universiteteve, sipas ministrit, zë rreth 30% të buxhetit në total. Bashkëpunimi me Kosovën Shqipëria dhe Kosova do të punojnë së bashku për binjakëzimin e shkollave dhe diplomave të arsimit të lartë, pasi çmojnë se arsimi mbetet një nga fushat e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2007. Një theks të veçantë ministri Tafaj i kushtoi edhe shkëmbimit të eksperiencave në arsimin parauniversitar të të dy vendeve. "Të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të prekin realitetet e të dy vendeve. Gjimnazistët shqiptarë duhet të njohin nga afër shkollat e mesme në Kosovë dhe anasjelltas. Ka ardhur koha që të rinjtë të njihen jo vetëm me vendet turistike të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me shkollat e tyre, duke krijuar kështu një traditë të re për të dy vendet tona", shtoi ai.