Tafaj në Korçë, njihet me investimet shtesë të Universitetit
Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e dy godinave shtesë në Universitetin “Fan Noli” në Korçë.
I shoqëruar nga rektori i universitetit të Korçës, Gjergji Mero dhe përfaqësues të tjerë të këtij insitucioni, ministri Tafaj ka parë nga afër proçesin për rikonstruksionin e këtyre godinave, njëra tek ish Divizioni i Ushtrisë dhe tjetra tek ish-Shtëpia e Oficerave në qendër të qytetit.
Ministri i Arsimit ka theksuar se brenda dy viteve Korça do të kthehet në një qendër të madhe universitare nga investimet e qeverisë shqiptare.
Të dyja ndërtesat gjenden jashtë kompleksit universitar, ndërkohë që në to do të mësojnë më shume se 2 mijë studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Aktualisht në Universitetin e Korçës studiojnë rreth 7500 studentë, ndërkohë që gjatë këtij vitit të ri akademik, pritet të pranohen 2500 studentë të rinj.