Kapllani e Skela asiste, por Koblenci humbet 4-2
Legjionarët
Dyshja lë gjurmë në sfidën me Arminian, Bogdani zëvendësues kundër Lacios
Ervin Skela dhe Edmond Kapllani janë konfirmuar si dy lojtarë mjaft të rëndësishëm te Tus Koblenci, për pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi i afruar në formë huazimi nga Augsburgu është aktivizuar si titullar në sfidën e humbur 4-2 në fushën e Arminia Bielefeldit. Kapllani ka qëndruar në fushë gjatë gjithë takimit, ndërsa në të 84-n ai dha asistin e golit të Lenses, që shkurtoi provizorisht shifrat në 3-1. Në anën tjetër, Skela u aktivizua vetëm në minutën e 87, por tri minuta në fushë i mjaftuan fantazistit vlonjat që të jepte asistin e golit të Hartman, ndërsa rezultati u shkurtua në 3-2. Falë ndihmës së dy kuqezinjve, Koblenci shpresoi deri në fund të merrte të paktën një barazim, por në sekondat shtesë, Arminia shënoi edhe golin e katërt. Besart Berisha nuk ishte as në stolin e rezervave për skuadrën nga Bielefeldi. Në Serinë A italiane, Erjon Bogdani është aktivizuar si zëvendësues në barazimin 1-1 që Kievo arriti në fushën e Lacios. Edhe pse qëndroi në fushë vetëm 28 minuta, loja e sulmuesit shqiptar është vlerësuar nga trajneri Di Karlo. “Dua t’i bëj komplimente Bogdanit dhe Bentivoljos për mënyrën si e interpretuan ndeshjen edhe pse u aktivizuan si zëvendësues. Barazimi është rezultat që na jep vazhdimësi”, tha tekniku i veronezëve.
#