E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Autonomia, iluzion i Serbisë

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se autonomia për serbët e Kosovës në veri, është një iluzion i Serbisë dhe se Beogradi nuk e pranon realitetin e ri.

Në një intervistë për të përditshmen vjeneze “Standard”, ajo ripërsëriti se Prishtina refuzon çfarëdo lloj autonomie dhe shtoi se Serbia duhet të pranojë Kosovën e pavarur dhe të ndalojë ndërhyrjen në punët e shteteve tjera.

Tahiri beson se raundi i fundit i bisedimeve ka treguar se Serbia nuk është gati të heqë dorë nga kjo “ndërhyrje”.
Asociacioni i komunave serbe, sipas saj, duhet të ketë vetëm këshillim koordinues, por jo fuqi ekzekutive në nivel të tretë të qeverisë.

Duke folur rreth intervenimit të mundshëm të Qeverisë në veri, Tahiri ka thënë se çështja e pranisë ushtarake të Kosovës në veri, nuk ishte në rend të ditës në Bruksel.

Megjithatë, gazeta “Standard” ka rikujtuar se Kryeministri Thaçi, në rast të dështimit të marrëveshjes do të tentojë t’i shtrij kompetencat në veri, ku Qeveria e Kosovës deri tani ka vetëm një zyre administrative në veri./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›