Deputetët të mos votojnë nënshkrimin e kontratës për shitje të PTK-së

Pas publikimit të lajmit se është bërë hapja e ofertave për privatizimin e PTK-së, Federatë Sindikale e Punëtorëve të PTK-së edhe një herë publikisht paraqet shqetësimin për këtë proces.
“Mendojmë se lëshimet e mëdha që janë bërë para dhe gjatë këtij procesi kanë sjell deri te mosinteresimi i kompanive të mëdha për të ofertuar në këtë tender.
Disa nga këto lëshime ne si Federatë Sindikale e Punëtorëve të PTK-së i kemi ngritur edhe në prononcimet tona të mëhershme. Tash, pas publikimit të emrave të kompanive ofertuese, po cekim vetëm një rrethanë.
Njëri nga kushtet më me peshë të Tenderit për privatizimin e PTK-së është kushti që Kompania ofertuese duhet të ketë një përvojë të madhe në operim në fushën e telekomunikacionit. Nga të dhënat që mund të sigurohen për dy kompanitë ofertuese del se këto kompani nuk kanë përvojën e kërkuar në këtë fushë.
Edhe pse në shikim të parë mund të duket se është jashtë interesimit tonë të ngushtë sindikal, nuk mund të lëmë pa theksuar edhe dy momente tjera lidhur me këtë proces:
Nuk dimë për çfarë qëllimi theksohet shumë fakti se njëra kompani (M1...) qenka me seli në Londër. Mendojmë se ajo mund të ketë një përfaqësi në Londër por jo edhe selinë.
Po ashtu nuk mund t’i iket përshtypjes se rrjedha e këtij procesi do të ketë ndikim të madh në zvogëlimin e interesimit të investitorëve potencial edhe në fushat tjera ekonomike.
Kjo përshtypje mund të krijohet nga fakti se nëse për një kompani fitimprurëse siç është PTK-ja nuk paska interesim të kompanive të mëdha nga kjo fushë, atëherë si duket ky mjedis (Kosova) nuk qenka aq joshës për investitor serioz të cilët do të ndikonin me investimet e tyre në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Duke u bazuar në faktet paraqitura në këtë komunikatë kërkojmë nga deputetët e nderuar të kuvendit që të mos votojnë nënshkrimin e kontratës për shitje të PTK-së”, thuhet në komunikatën e Federatës Sindikale e Punëtorëve të PTK-së.Indeksonline/