E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Beogradi synon projektin e Serbisë së madhe

Edita Tahiri Prishtinë, 22 Dhjetor, 09:25, NOA - Kryetarja e ADK-së dhe diplomatja e njohur kosovare, Edita Tahiri thotë se udhëheqësja kosovare duhet të pengojë çfarëdo tendencash për implementimin e planit gjashtë pikësh në Kosovë.

“Sfidat e shtet-ndërtimit janë komplekse, shumë të tilla na presin në të ardhmen, por mendoj se fuqia dhe vullneti jonë për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm është e pakontestueshme”, deklaroi diplomatja Edita Tahiri.

Sipas saj, diplomacia e Kosovës në këtë periudhë të pas pavarësisë nuk ka arritur ende të ngrihet në nivelin e përgjegjësive të saja, të cilat në mënyrë të veçantë ndërlidhen me momentin historik në të cilin ndodhet Kosova.

“Përballë një situate komplekse në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare formula e jonë diplomatike u deshtë të ngjitet mbi një lidership diplomatik që dinë ti bëjë ballë detyrës. Mirëpo, zgjidhja që bëmë me ministrin e jashtëm është larg këtyre mundësive”, theksoi Tahiri.

Lëvizjet e fundit të Serbisë në planin diplomatik ajo thotë se duhet parë në dy nivele.

“Në dukje, kjo mund të shihet si një përpjekje e Serbisë për ta bllokuar procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe për ta mbajtur rajonin në tensione dhe jo stabilitet të vazhdueshme. Mirëpo, nëse shikohet më thellë angazhimet e diplomacisë serbe kanë të bëjnë me synimet për ta realizuar projektin e ‘Serbisë së madhe’. Sado që epoka e Millosheviqit ka marrë fund zyrtarisht, mendësia Millosheviqiane vazhdon të dominoj kokat e elitës politike serbe”, theksoi kryetarja e ADK-së.

Tahiri deklaroi se Kosova jo vetëm në këtë fazë por që nga formimi i lëvizjes për pavarësi në vitet e 90ta ka në programin e saj shtetëror dhe kombëtar angazhimin për avancimin e statusit të kombit shqiptarë në përgjithësi.

INA/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›