Presidenti Topi, takim me fëmijët jetimë

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë të pranisë mes fëmijëve, Presidenti Topi u shpreh:
“Përshëndetje të dashur fëmijë,
Është kënaqësi e veçantë që jemi së bashku këtu sot në këtë takim tradicional në prag të festave të fundvitit. Sigurisht, festat i kanë qejf të gjithë, i gëzojnë të gjithë, por festat e fundvitit, festa e Vitit të Ri në radhë të parë është festë e fëmijëve. Të gjithë ju i gëzoni më shumë se çdokush tjetër, dhe natyrisht kur kalon një vit, ju ndjeni që jeni një vit më të rritur, një vit më të rritur në rrugën tuaj të dijes. Unë dëshiroj për ju që viti 2009, i cili është në prag, të jetë një vit i suksesshsëm në mësime, të rriteni të shëndetshëm, me dije, të bëheni zot të vetes, të dilni sa më shpejt në jetë, për të pasur edhe ju profesionin tuaj, për të krijuar familjet tuaja, sepse jam i bindur, kur të rriteni, kur të vini në moshën që do të krijoni familjen tuaj, askush më shumë se ju nuk do ta kuptojë vlerën e familjes më shumë se sa do ta ndjeni ju.
Unë kam informacion që juve mësoni mirë, jeni nxënës të edukuar, keni edukatore shumë të mira, mësuese shumë të mira, dhe jam i bindur që për ju kujdesen jo vetëm edukatoret, por kujdeset e gjithë shoqëria. Prandaj, unë sot më shumë se kurrë dëshiroj të jap një mesazh për të gjithë ju, që gjëja më e mirë që do të bëni, t’i kushtoni shumë vëmendje mësimit, se jeni të gjithë nxënës shumë të mirë, sepse në këtë mënyrë do të bëheni zot të vetes dhe do të jeni të dobishëm për shoqërinë.
Edhe njëherë ju uroj: Gëzur Festat! Urimet më të mira e dalshi faqebardhë në rrugën tuaj të dijes, së bashku me misionin që kanë marrë për ju edukatoret dhe mbarë shoqëria! Gëzuar!”
Ndërsa Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, znj. Jonida Çaroshi, në fjalën mirënjohëse për kujdesin e vazhdueshëm të Kreut të shtetit për problemet e fëmijëve, u shpreh: “Është kënaqësi dhe nder i veçantë për ne të jemi sot këtu! Në emër të stafit të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe në emër të të gjithë fëmijëve, ju falenderojmë për vëmendjen dhe kujdesin tuaj të vazhdueshëm për nevojat e fëmijëve të institucionit tonë dhe të gjithë fëmijëve në nevojë të të gjithë shoqërisë shqiptare. Ju urojmë nga zemra një vit të ri të mbarë! Gëzuar dhe gjithë të mirat!”
Nën kujdesin e edukatoreve të Shtëpisë, fëmijët përshëndetën këtë aktivitet dhe dhanë një koncert të shkurtër të përgatitur me recitime, kërcime e këngë, si dhe i dhuruan Presidentit Topi një dhuratë të përgatitur enkas për këtë ditë.
Në fund,edhe fëmijët morën dhuratat e përgatitura për ta, ku nuk munguan fotografitë me Kreun e shtetit, si kujtim në kuadër të festave të fundvitit.
Po sot paradite, në Pallatin e Brigadave, Kreu i shtetit priti një klasë maturantësh nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.
NOA