E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Grisni formularin me pyetjet për kombësinë”

26/09/2011  Aleanca Kuqezi në Berat thirrje banorëve të braktisin censusin

Spahiu kërkon të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje

BERAT- Aleanca Kuqezi ka protestuar në qytetin e Beratit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. AK ka kërkuar grisjen e pyetjeve për etninë dhe fenë në formularin e regjistrimit gjatë një takimi që është zhvilluar sot në qytetin e Beratit. Kreu i kësaj aleance, Kreshnik Spahiu, së bashku me disa aktivistë të tjerë mbërritën rreth orës 11:00 të së shtunës në Pallatin e Kulturës "Margarita Tutulani", ku zhvilluan një takim me banorë të këtij qyteti. Aktivistët e AK kanë shpjeguar se kjo aleancë nuk është dhe nuk mund të jetë kundër regjistrimit të popullsisë, proces i cili pritet së shpejti të zhvillohet në vendin tonë, por kjo aleancë është kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza të përkatësisë fetare dhe etnike. Aktivistët Adrian Leka dhe Julian Kola u shprehën se ku tjetër veç qytetit të Beratit do të ngrihet zëri kundër për këtë regjistrim që synon të zhvillohet në vendin tonë. "Ku tjetër veç qytetit me harmoninë më të mirë fetare ne duhet të shprehemi kundër", thanë aktivistët. Vetë kryetari i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Spahiu, në fjalën e tij përpara qytetarëve të Beratit ka preferuar të flasë pa pranin e kamerave, por është shprehur me tone të ashpra se qytetarët duhet t’i thonë “jo” këtij regjistrimi. Kreshnik Spahiu ka ritheksuar se AK është kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Gjatë fjalës së tij përpara banorëve të Beratit, ai është shprehur me tone të ashpra në lidhje me këtë regjistrim, duke e cilësuar si një nga vendimet më të këqija të marra në vendin tonë. AK ka deklaruar se formulari i regjistrimit ndez tensionet në komunitetet fetare. Po ashtu, ata kanë kërkuar që qeveria të zbardhë bisedimet me Greqinë. “Jemi pro regjistrimit, por pa pyetje për etninë. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grisni pyetjet për etninë dhe fenë në formular! Berati është shembull i

bashkëjetesës ndërfetare”, deklaroi kreu i Aleancës Kuqezi. Regjistrimi i popullsisë pritet të nisë më 1 tetor, por ligji për censusin është kundërshtuar dhe nga minoriteti grek në Shqipëri, i cili ka dalë kundër mendimeve të PBDNJ-së, të cilat ndalojnë regjistrimet fiktive në formularët e regjistrimit.

S. Gorica

Aleanca Kuqezi miting në Fier

Spahiu: Ne nuk plotësojmë tekat e Athinës, por të integrimit

Aleanca Kuqezi ka zhvilluar një miting ditën e djeshme në sheshin qendror të qytetit të Fierit, ku ka protestuar sërish për regjistrimin e popullsisë. Drejtues të saj i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të heqë dorë nga regjistrimi etnik dhe fetar. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje janë shprehur se në lidhje me regjistrimin fetar e etnik ka dhënë një vendim Gjykata Kushtetuese, i cili duhet të respektohet nga qeveria shqiptare. “Qeveria të plotësojë kriteret e Bashkimit Evropian dhe të punojë mbi prioritetet e Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Qeveria të tërhiqet nga regjistrimi i popullsisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për të. Vendimi i Kushtetueses është vula kuq e zi për censusin e popullsisë, prandaj qeveria duhet të tërhiqet nga ky regjistrim patjetër”, kanë thënë përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi.

A. Damini

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›