E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi i tinejxherëve shkakton hallakamë në Bundesligë

Transferimi i dy 13 vjeçarëve në klubet nga Bundesliga, Hoffenheim dhe Wolfsburg ka krijuar hallakamë mes skuadrave nga elita e futbollit gjerman, ndërsa kritikët bëjnë thirrje për përfundimin e “vjedhjes së fëmijëve”.

Dy futbollistët nga Berlini dhe Hamburgu do të kalojnë në Hoffenheim, respektivisht Wolfsburg, qindra kilometra larg shtëpive të tyre me përkrahjen e plotë të prindërve. “Ne duhet të pranojmë transferimin, por mendoj se ai nuk do të jetë në gjendje të japë maksimumin në Wolfsburg”, tha drejtori i të rinjve në St Pauli, Joachim Philipkowski, për largimin e futbollistit të tij.

“Ai do të largohet nga ambienti i tij familjar. Nuk mendoj se është gjë e drejtë”, u shpreh ai. Disa skuadra tjera nga liga gjermane e futbollit (DFL), që udhëheq dy divizionet e para si dhe Federata gjermane e Futbollit (DFB) kanë shprehur brenga.

“Dikur ekzistonte një marrëveshje e xhentëlmenëve që nuk duhet të merrni talentet, tani mbetet vetëm një dëshirë në ekzistimin e sërishëm të kësaj marrëveshjeje”, tha drejtori i DFL-së, Holger Hieronymus. Por, Hoffenheim dhe Wolfsburg kanë mbrojtur veprimet e tyre duke thënë se transferime të tilla janë praktikë e çdo lige të futbollit evropian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›