E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Daçiq i përket mentalitetit të Millosheviqit

Ministri i Punëve të Brendshme serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është duke u bërë një garë me arrestimet mes Serbisë dhe Kosovës, përderisa zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se nuk ka qenë e befasuar me këtë deklaratë, pasi, siç ka thënë ajo, Daçiq i përket mentalitetit të Millosheviqit. Ajo gjithashtu ka thënë se marrëveshja e IBM-it është në fazën finale kur grupet punues janë duke përgatitur përfundimin e këtij procesi.

E pyetur nga gazetarët për kërcënimet me arrestime të ministrit serbe të policisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se i ka dëgjuar ato deklarata dhe se ai fjalor vjen vetëm nga ata të cilët nuk janë të gatshëm të bëjnë një shtet evropian.

“I kam dëgjuar edhe unë deklaratën e palës serbe, përkatësisht të ministrit të Brendshëm Daçiq dhe nuk u befasova, sepse ai tashmë është i njohur që nuk ka dal nga mentaliteti i Millosheviqit, duke qenë se ka ndjekur me besnikëri politikën gjenocidale të Millosheviqi. Prandaj edhe ky fjalor mund të vij vetëm nga ata të cilët në fakt nuk janë gatshëm që shtetin e tyre të bëjnë një shtet evropian, përkundrazi shkojnë kundër tendencave dhe vlerave evropiane”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka shtuar se lëvizja e lirë e qytetarëve është një prej parimeve themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe një prej katër lirive që i ka vënë Bashkimi Evropian.

Kryenegociatorja Tahiri ka thënë se Kosova ka bërë një hap substancial drejt afrimit me Bashkimin Evropian, duke iu ofruar zyrtarisht Marrëveshja Stabilizim Asocim përmes studimit të fizibilitetit.

Sipas saj, marrëveshja për lëvizje të lirë mundëson që përmes letërnjoftimeve të kalohet midis dy shteteve, duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Serbinë.

Ndërsa në lidhje me marrëveshjen e IBM-it, Tahiri ka thënë se është faza kur grupet punuese janë duke bërë përgatitjet e fundit.

“Në këtë fazë grupet punuese trepalëshe janë duke përgatitur të gjitha aspektet përgatitore në mënyrë që të kur të përfundon ky proces do të filloj zbatimi i marrëveshjes së IBM-it që është një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të dialogut teknik, sepse me këtë marrëveshje praktikisht Serbia ka njohur integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe me këtë rast, ne si Kosovë, jo që kemi bërë hapa drejt BE-së, por po demonstrojmë se ne jemi një shtet me aspirata evropiane. Por jo në kuptimin filozofik, por si një shtet që institucionalisht zbatojmë vlerat evropiane”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga ndonjërit prej liderëve të institucioneve, Tahiri ka thënë se marrëveshja është nënshkruar në Bruksel nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›