Tahiri-Davenport: Mbretëria e Bashkuar mbështetje për Kosovën

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Majkëll Davenport, i shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Jan Klif.
Gjatë takimit të dy palët kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, rrjedhat e dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Në një njoftim nga zyra për shtyp e zonjës Tahiri thuhet se ambasadori Davenport premtoi mbështetjen e vendit të tij për shtetin e Kosovës, duke u angazhuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e interesit të ndërsjellë.
Ambasadori Davenport gjithashtu ka theksuar edhe rëndësinë e dialogut teknik, "duke ftuar të dyja shtetet që të mbeten të përkushtuara për arritjen e rezultateve sa më të larta".