E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Kosovës i janë kthyer rreth 50 për qind të librave civilë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri priti sot Jowlle Vatcher, zëvendësshef e Misionit të EULEX-it, me ç’rast u bisedua për progresin e arritur në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për kthimin e regjistrave civil në Kosovë. Si njoftohet nga kabineti i zv/kryeministres, me këtë rast u vlerësua progresi i arritur, duke qenë se tashmë rreth 50 për qind e librave civilë i janë kthyer Kosovës nga Serbia. Po ashtu, u shpreh përkushtimi i përbashkët që zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje të realizohet sipas dinamikave të parapara.

Edita Tahiri falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin dhe angazhimet e përbashkëta për konsolidimin e sundimit të ligjit në tërë Kosovën, si dhe për angazhimet konkrete në çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit. Ajo vlerësoi se kthimi i regjistrave civil kontribuon në kompletimin e të dhënave të regjistrit civil të shtetit të Kosovës dhe angazhimeve të Kosovës për përmbushjen e standardeve evropiane. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›