Pernaska: “Bashkiaku Rama, prej 10 vitesh keqqeveris Tiranën”
Deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Pernaska, e akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po keqqeveris Tiranën. Pernaska, në një dalje për mediat, evidentoi se prej 10 vjetësh qytetarët e Tiranës përballen me një problematikë komplekse të kryeqytetit, e cila rëndon mbi jetesën e tyre të përditshme. “Prej 10 vjetësh, z. Rama e ka lënë kryeqytetin pa një plan rregullues. Madje më keq se kaq, herë pas here janë skicuar letra a projekte, duke luajtur me interesat e qytetarëve, me nevojat e tyre, si me të ardhurit edhe me vendalinjtë, pra pronarë të vjetër të këtij qyteti”, - u shpreh Pernaska. Sipas PD-së, prej 10 vjetësh tallja dhe mashtrimi kanë qenë pjesë e jetës edhe e banorëve të Saukut, të vendosur me breza në kurorën e mrekullueshme të Tiranës. Duke folur nga Sauku, Pernaska tha: “Gjendemi pikërisht në këtë zonë, dhe pikërisht në vendin ku duhej prej kohësh të ishte ndërtuar Unaza e Madhe e Tiranës”.
Sipas Pernaskës, prej 10 vjetësh, grupe, apo individë të ndryshëm kanë ardhur në emër të Bashkisë së Tiranës me copa letrash për planin e Unazës së Madhe.
“Prej 10 vjetësh, ashtu si gjithë kryeqyteti që ka mbetur pa një plan rregullues, edhe kjo zonë vuan të njëjtën situatë, duke cenuar drejtpërdrejt jo vetëm interesat e pronarëve, por dhe duke e lënë kryeqytetin në një gjendje mbytëse për qarkullimin dhe mbarëvajtjen e tij”, - u shpreh deputetja Pernaska.
7 Korrik 2010