Tahiri: Letra e Topallit, kërcënim antikushtetues
Qëndrimi
Partia Socialiste reagon negativisht ndaj ftesës së Kryeparlamentares
Letra e Kryetares së Kuvendit, ku u bën me dije deputetëve socialistë mbarimin e mandatit të tyre, është vlerësuar si një kërcënim antikushtetues. Pak orë pasi deputetët janë njohur me përmbajtjen e mesazhit të Kryeparlamentares, Partia Socialiste reagoi përmes deputetit të saj, Saimir Tahiri, i cili konsideroi se mazhoranca po bën një diversion të turpshëm. Saimir Tahiri dhe pak minuta më vonë edhe kryetari socialist, Edi Rama, konfirmuan se PS nuk do të ndryshojë qëndrim dhe do të vijojë me betejën për hapjen e kutive. “Jozefina Topallit t’i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion, duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues”, tha Tahiri. Ai nënvizoi se “Sali Berisha duhet ta harrojë që Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin. Sali Berisha ta harrojë se PS do pushojë së kërkuari deri në fund hapjen e kutive dhe zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit”. Tahiri konfirmoi më tej se beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj. “Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime”, vijoi ai. Deputeti i selisë rozë denoncoi përdorimin e fatkeqësisë në Shkodër, për qëllime politike nga ana e mazhorancës. “Spekulimi me fatkeqësinë që u shkaktoi njerëzve të shkretë në veri për të bërë diversion ndaj opozitës, është ana tjetër e kësaj medaljeje të shëmtuar që u shtohet medaljeve për korrupsion, paaftësi, klientelizëm, nepotizëm, dështim e plot të tjera që i qëndrojnë të varura në qafë Sali Berishës, Jozefina Topallit e mazhorancës së kthyer në çetë”, deklaroi Tahiri.
#