Ministria e Arsimit: Bojkoti i Universitetit të Vlorës, i padrejtë
Rektori Tanush Shaska i kthyer me urgjencë nga Amerika i ka kërkuar stafit pedagogjik që t’i rikthehet menjëherë mësimit
Ministria e Arsimit e konsideron të padrejtë vendimin e stafit akademik të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për të bojkotuar mësimin. Zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, pas takimeve që pati me drejtues të universitetit ka dhënë dje përgjigje për të gjitha kërkesat e pedagogëve.
Për sa i përket promovimit të stafit akademik, ministria ka bërë me dije se është iniciuar procesi konsultativ me Konferencën e Rektorëve dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, për të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme. Qëllimi i këtij procesi është dhënia e mundësive për të bërë promovimin e titujve akademikë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, një proces ky që mendohet të finalizohet brenda muajit janar të këtij viti. Kjo mundëson edhe realizimin e kërkesës së parë të peticionit që Universiteti i Vlorës i ka dërguar ministrisë.
Për kërkesën e dytë, për hapjen e programeve të reja, Ministria e Arsimit ka fajësuar universitetin “Ismail Qemali”. Sipas përgjigjes, për hapjen e programeve të reja të universitetit të Vlorës u janë rikthyer për plotësim dokumentacioni vlerësimet e programeve të reja. Dhe, deri tani, nga ana e universitetit nuk ka pasur përgjigje zyrtare për plotësimin e mangësive në këto programe.Në lidhje me ambientet e reja dhe kërkesën e Universitetit “Ismail Qemali” për krijimin e një kampusi të ri universitar mbi sipërfaqen e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, MASH ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për mundësimin e këtij projekti të depozituar në maj të vitit 2009. Duke qenë se Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se këto toka janë pasuri shteti dhe i kanë kaluar AKPP-së, MASH-it, si institucion ndërmjetës është duke koordinuar të gjithë procesin e kalimit të pronësisë së kësaj sipërfaqeje.
Pas këtyre përgjigjeve, Ministria e Arsimit del në konkluzionin se stafi akademik i Universitetit të Vlorës nuk ka argument për të bojkotuar procesin mësimor.
Ndërkaq rektori i këtij universiteti, Tanush Shaska i kthyer me urgjencë nga Amerika i ka kërkuar stafit pedagogjik që t’i rikthehet menjëherë mësimit.
#