Tahiri: Raundi i ardhshëm më 30 nëntor
“Jemi pajtuar që takimi i radhës të mbahet në fund të këtij muaji, më 30 nëntor”, ka thënë ajo.
BE: Dialogu ishte pozitiv, vazhdojmë në fund të nëntorit
Bashkimi Europian, përmes një komunikate për media, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për diplomat, derisa e ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e takimit mes Prishtinës dhe Beogradit.
Takimi i radhës, ndërkaq, pritet të mbahet para fundit të këtij muaji.
“Duke marrë parasysh marrëveshjen e arritur në parim me 2 korrik, dy palët janë diakorduar që të kërkohet nga Asociacioni i Universitetit Europian për të certifikuar diplomat të lëshuara nga universitetet e secilës palë për përdorim nga pala tjetër në lidhje me edukimin e mëtejmë ose për punësim publik”, thuhet në komunikatën e BE’së.
Sipas komunikatës, palët kanë arritur progres edhe për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.
“Ka pasur pajtueshmëri që palët t’i kthehen kësaj çështjeje në takimin e tyre të radhës me synimin që të arrihet marrëveshje në kontekst të strategjisë së përgjithshme të BE’së për rajonin”, thuhet në komunikatë.
BE ka njoftuar edhe se delegacionet kanë biseduar edhe çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve.
“Në këtë kontekst koncepti i Menaxhimit të Integruar të Kufirit është diskutuar si një mënyrë për të gjetur një zgjidhje europiane në pikëkalime”, thuhet në komunikatë.
Aty, po ashtu, thuhet se është arritur progres nga grupet punuese për regjistrat civilë dhe lëvizjen e lirë – për të cilat palët janë dakorduar në takimet e kaluara.
Arrihet marrëveshja për diplomat
Dialogu i rinisur të hënën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka sjellë edhe një marrëveshje, bëjnë të ditur burimet diplomatike në Bruksel.
Sipas burimeve nga Bashkimi Europian, Koha shkruan se është arritur pajtim rreth njohjes së ndërsjellë të diplomave universitare.
Ndërkohë, dialogu do të vazhdojë edhe sot, ndërsa pritet që temë e diskutimeve të mëtutjeshme të jenë çështjet e telekomit dhe të energjisë. Pala kosovare ka paralajmëruar edhe hapjen e temës së menaxhimit të integruar të kufirit.
Kthehen me kundërshtime
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u kthyen në Bruksel duke rikonfirmuar pozicionet kundërshtuese. Edita Tahiri foli për menaxhimin e integruar të kufirit, derisa Borko Stefanovic për pikëkalime administrative në Bërnjakë dhe Jarinje. Negociatori serb, megjithatë, paralajmëroi progres në çështjen e diplomave dhe bashkëpunimin rajonal. E brenda takimit rezervoi edhe pak mirësjellje për Edita Tahirin.
Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë u janë kthyer bisedimeve të hënën në Bruksel, gati dy muaj pasi pala serbe i kishte bllokuar ato me insistimin që të diskutohet për pikat doganore Jarinje dhe Bërnjakë.
Shefat e delegacioneve, Edita Tahiri dhe Borislav Stefanovic, kanë arritur në kryeqytetin europian duke i rikonfirmuar pozicionet antagoniste rreth procesit të bisedimeve.
Por siç ndodh zakonisht kur dy palët shfaqen në Zyrën e Cooperit, kujdesen për mirësjellje.
Së pari, në bazë të pamjeve që janë prezantuar në ueb faqen e lajmeve të Këshillit Europian, Robert Cooper, dëgjohet duke i dhënë shpjegime Edita Tahirit rreth vonesës së Borko Stefanovic.
“... Ka qenë për shkak të mjegullës ... e kemi verifikuar”, ka thënë Cooper.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe negociatori serb, kur është ulur pranë tryezës së bisedimeve.
“U vonuam për shkak të mjegullës”, ka thënë negociatori serb.
Por paraprakisht, dy shefat e delegacioneve kanë pyetur njëri-tjetrin edhe për shëndetin.
E, Borko është kujtuar që Tahirin ta përgëzojë edhe për diçka tjetër.
“Urime për doktoraturën”, ka thënë Stefanovic.
Shkrimin e plotë do ta lexoni në Express...