Çitaku: Në fokus liberalizimi i vizave
Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, tha të martën se zhvillimet aktuale kanë në fokus të veçantë liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Çitaku këto komente i bëri të martën me rastin e takimeve me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Ministrja në takime të ndara priti ambasadorin holandez, Robert Bosch, të ngarkuarën me punë në Ambasadën britanike, Anna Jackson, shefen e Zyrës Suedeze, Ingrid Johansson.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimit prandaj edhe është duke i realizuar të gjitha reformat, të cilat e përgatisin vendin për të ndjekur rrugën sa më të shkurtër drejt anëtarësimit në BE”, tha ajo.
Çitaku tha se nga takimet që ka realizuar deri me tani është siguruar se gëzon mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha sferat, në procesin drejt perspektivës së integrimit të Kosovës në familjen evropiane, transmeton Telegrafi.