E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Vetëvendosje s`kishte asgjë personale me mua

Shefja e ekipit negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, nuk i ka dhënë shumë rëndësi protestës së Vetëvendosjes ku aktivistë të kësaj lëvizje qëlluan makinën e saj me domate duke shtuar se nuk do t`i padisë ata dhe as nuk do të merret me sjelljet e tyre.
 

Në një intervistë për mediat kosovare, e pyetur nëse do t`i padisë aktivistët e Vetëvendosjes, Tahiri ka thënë se nuk ka pasur asgjë personale me të.

“Vetëvendosja nuk kishte asgjë personale me mua...dhe unë nuk do të merrem me këtë çështje”, ka thënë ajo ndër tjera.

Tahiri ka folur edhe për veprimet e radhës të qeverisë së Kosovës në raport me doganat në veri. “Doganat në veri do të udhëhiqen nga doganierët kosovarë. Do të kemi bashkëpunim edhe me KFOR-in dhe Eulex-in, kjo për shkak të ndjeshmërisë atje”, ka thënë Tahiri.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve me Serbinë, Tahiri ka thënë se do të jetë më datën 26 apo 27 shtator, ku ndër të tjera do të bisedohet për bashkëpunimin rajonal, ku preten të arrihen edhe marrëveshje konkrete.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›