E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri takon ndërmjetësuesin e BE-së, Cooper

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri u takua sot me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun teknik me Serbinë, Robert Cooper. Në takim thuhet se janë diskutuar çështjet që tashmë janë të hapura dhe mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve, si dhe u diskutuan edhe elemente të ndryshme të marrëveshjeve të mundshme kornizë të cilat, në një proces mund të rezultojnë edhe në marrëveshje.
 

Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se është biseduar për përgatitjen e axhendës për raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet në 17 dhe 18 maj në Bruksel, ku temat kryesore përfshijnë çështjen e të pagjeturve, çështjen e trashëgimisë kulturore dhe çështjen e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare.
“Zëvendëskryeministrja Tahiri, falënderoi z. Cooper dhe BE-në, për angazhimet konstruktive rreth dialogut me një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të objektivave të dialogut, të cilat synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve si dhe në afrimin e Kosovës me BE-në”, thuhet në njoftim.
 

Gjithashtu u theksua se rezultatet e dialogut do të shënojnë përparime në bashkëpunimet rajonale si një prej parakushteve për integrimet evropiane.
 

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ditë më parë ka thënë se marrëveshja kornizë ka të bëjë me telekomunikacionin, energjinë dhe lëvizjen e lirë.
 

Zgjidhjet për temat e diskutuara deri më tani në Bruksel do të vijnë si kornizë e marrëveshjes nga lehtësuesi i bisedimeve, Robert Cooper.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›