Tahiri:Problemet në veri mund të jenë pjesë e dialogut

Dy muaj pas nisjes së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, zëvendëskryeministria e qeverisë së Kosovës Edita Tahiri ka pranuar se problemet në veri të Kosovës do të jenë pjesë e këtij procesi.
Kryesuesja e delegacionit kosovar ka thënë se nuk do të ketë ndarje e as status të veçantë për veriun, por pjesë e dialogut do të jetë mundësimi i zbatimit të Pakos së Ahtisaarit atje dhe ndalja e ndikimit të Beogradit te serbët e asaj pjese të Kosovës.
Tahiri ka thënë gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan të Kosovës, se jeta e qytetarëve serbë në veri duhet të përmirësohet nëpërmjet dialogut, duke bërë të mundshme zbatimin e Pakos së Ahtisaarit. Sipas saj, ndërhyrjet që Serbia ka bërë në veri të Kosovës, i kanë pamundësuar Qeverisë së Kosovës të komunikojë me qytetarët atje.
“Ndërhyrja e Serbisë në veri ka krijuar një situatë që është kthyer në pengesë për Qeverinë e Kosovës që të japë shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne duam që perspektiva e qytetarëve atje të realizohet në këtë shtet të ri. Kjo është esenca e bisedimeve”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, dialogu duhet të mundësojë komunikimin normal të Qeverisë së Kosovës me serbët e veriut.
“Kjo situatë jonormale mes komunikimit të Qeverisë dhe qytetarëve në pjesën veriore, duhet të normalizohet dhe duhet të tërhiqet ndërhyrja ilegale. Kjo, në fakt, është esenca e formulës, për të cilën ne po angazhohemi”, ka thënë zëvendëskryeministrja kosovare. Sipas saj, edhe Serbia e ka kuptuar se nuk mund të bëhesh pjesë e vlerave evropiane duke u sjellë kështu.
Ndonëse ka pranuar se heqja e strukturave paralele të Serbisë nga veriu do të jetë pjesë e bisedimeve, Tahiri ka dhënë deklarata krejtësisht të kundërta, kur pas ligjëratës me studentë i është kujtuar nga mediet se kjo është hera e parë që një zyrtar kosovar pranon se problemet në veri do të jenë pjesë e bisedimeve.