Tajlandë, rinisin protestat e opozitës
Pavarësisht qëndrimit të ashpërsuar të qeverisë, opozita tajlandeze ka vazhduar protestat e saj. Mijëra kundërshtarë të qeverisë u mblodhën në shumë sheshe të kryeqytetit Bangkok për të protestuar kundër mbylljes së një televizioni të opozitës dhe dhjetëra faqeve të saj në internet. Më pas ata shkuan në një stacion transmetimi për televizionin satelitor jashtë Bangkokut. Megjithë gjendjen e jashtëzakonshme të njoftuar nga qeveria, një zëdhënës i opozitës bëri thirrje për një demonstratë të përmasave të mëdha. Të ashtuquajturit "këmishëkuqtë" , kanë protestuar prej javësh , duke kërkuar zgjedhje të reja, por së fundmi manifestimet e tyre ishin paqësore. Ata kërkojnë që kryeministri, Abhisit Vejjajiva të shpërndajë parlamentin brenda 15 ditësh. Që prej ditës së shtunë ata mbajnë të pushtuar qendrën tregtare të Bangkokut.
Kështu, një grup manifestuesish të "këmishave të kuqe" është drejtuar për në Bangkok, drejt selisë së shoqërisë "Thaicom", për të protestuar kundër ndërhyrjes në "Kanalin e popullit", transmetuesi televiziv të cilit i referohen rebelët. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave në kryeqytetin tajlandez ka një prani të madhe të forcave të sigurisë.
Ndërkohë, autoritetet kanë lëshuar një seri urdhërarrestesh ndaj 18 liderëve të protestuesve, që prej javësh manifestojnë në mbështetje të ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra.