Fuere: Të rritet besimi mes bashkësive etnike
Ambasadori i Bashkimit Europian, Ervan Fuere duke komentuar gjendjen e rëndë në komunat shqiptare ndërkufitare dhe rikthimin e ndjeshmërisë së këtyre banorëve të këtyre zonave ndaj shtetit, ka thënë se "ka shumë komuna të margjinalizuara në zonat e ndjeshme kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë dhe patjetër duhet që të bëhen përpjekje më të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës ekonomike". Më tej ai vlerësoi se grupi i personave që ishte larguar drejt Brukselit për të kërkuar azil, nuk ka asnjë perspektivë në vendlindjen e tyre. Ai ka bërë thirrje që të përmirësohen kushtet në këto zona dhe të zvogëlohet ndjeshmëria e kësaj popullate, që konsiderohen si të huaj në këto territore. Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere ka theksuar se në Maqedoni është e pranishme klima e mosbesueshmërisë midis bashkësive etnike dhe është e paqartë se ku e çon vendin kjo situatë.
Sipas tij, kjo situatë ka ndikim negativ në marrëdhëniet ndëretnike, por ai ka inkurajuar qeverinë që t'i kushtojë kujdes prioriteteve që ka vendi në realizimin e reformave, në drejtim të forcimit të dialogut politik, që të ballafaqohet me mosbesueshmërinë.