Kaosi nga hiri vullkanik, anulohen qindra fluturime
Reja e hirit vullkanik nga Islanda vijon të krijojë probleme në Europë. Autoritetet britanike bëjnë të ditur se kanë kufizuar fluturimet në aeroportet Heathrow dhe Gatwick, në jug të Londrës. Gjatë fundjavës u mbyll gjithashtu edhe një pjesë e konsiderueshme e hapësirës ajrore britanike. Pas mbylljes më të madhe të aeroporteve në Britani, është prekur edhe Holanda, ku puna në aeroportin më të rëndësishëm, atë të Amsterdamit, është paralizuar. Në Britani, përveç dy aeroporteve të Londrës, urdhër për mbyllje kanë dhënë edhe në qytetet Manchester, Birmingham, Liverpool, Teeside e Norwich.
"Për fat të keq sërish kombinimi i kushteve meteorologjike dhe hiri vullkanik po penalizojnë Britaninë", shprehen autoritetet britanike. Të prekura vazhdojnë të jenë pjesë të Irlandës, të Skocisë dhe të Anglisë. Ndërsa në Gjermani "enti për sigurinë ajrore" ende nuk ka konfirmuar se do të ketë probleme për shkak të hirit vullkanik.
Aeroportet në Amsterdam dhe Roterdam u mbyllën për të paktën tetë orë duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit të së hënës. Në fundjavë, ashtu siç kishin paralajmëruar autoritetet britanike, hiri i vullkanit islandez përfshiu hapësirën ajrore veriore të Britanisë duke shkaktuar anulim të fluturimeve në disa aeroporte veriore. Ndërkohë që fluturimet janë pezuluar edhe prej autoriteteve irlandeze ku u përfshi edhe aeroporti i kryeqytetit Dublin.