Irani bie dakord për marrëveshjen bërthamore
Irani është dakorduar për marrëveshjen mbi karburantin bërthamor, pas ndërmjetësimit të udhëheqësve të lartë të Brazilit dhe Turqisë. Marrëveshja duhet t'i heqë shqetësimet ndërkombëtare rreth ambicjeve bërthamore të Iranit. Vendet Perëndimore vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin se Irani synon të ndërtojë armë bërthamore, por këto akuza Teherani i ka hedhur poshtë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të iranit, tha se në bazë të marrëveshjes, Irani do ta dërgojë pjesën më të madhe të uraniumit të pasuruar në Turqi për t'u shndërruar në uranium të shkallës së lartë, që do të përdoret në kërkime mjekësore. Marrëveshja u arrit gjatë orëve të fundit në Teheran gjatë bisedimeve ndërmjet presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva, kryeministrit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, dhe presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.
Turqia dhe Brazili, anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ishin deklaruar kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit, për shkak se Teherani dështoi të ndalë programin e pasurimit të uraniumit. Më herët, Irani e kishte refuzuar planin e Kombeve të Bashkuara, për shkak se Teherani dëshironte që shndërrimi i karburantit të bëhet në territorin e tij. Në këto bisedime merte pjesë edhe Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, si pjesë e përpjekjeve ndërmjetësuese të Turqisë dhe Brazilit. Presidenti Lula da Silva kishte si qellim gjatë kësaj vizite të bindtte iranianët të pranonin marrëveshjen për karburant bërthamor, e cila ka për qëllim zbutjen e shqetësimeve të Perëndimit lidhur me programin atomik të Iranit.