Tajlandë,mblidhen 28 000 përkrahës së ish-liderit Shinauatra
Të paktën 28 000 përkrahës të ish-liderit të Tajlandës, Taksin Shinauatra, u mblodhën në një stadium në Bangkok për të dëgjuar një fjalim të liderit të tyre në mërgim, dy ditë përpara zgjedhjes së një kryeministri të ri në parlament. Përkrahës të Shinauatrës, të gjithë të veshur me të kuqe, vazhdonin të vinin në 'National Stadium', që ruhej nga më tepër se 1 000 policë. Partia e Pushtetit të Popullit, ku ishin mbledhur të gjithë zëvendësit e Shinauatrës, është shpërbërë, zyrtarisht për mashtrim elektoral dhe deputetët që i kanë shpëtuar verdiktit gjyqësor janë mbledhur në një grupim të ri politik, Puea Tai, me objektivin për të formuar një qeveri të re. Por, një e papritur ndodhi më 6 dhjetor, kur Partia Demokrate, që ishte grupimi kryesor i opozitës parlamentare, u shpreh se ishte në gjendje të propozonte liderin e saj, Abhisit Vejajiva, në postin e kryeministrit, pas mungesës së katër grupimeve të mëparshme në mbështetje të Shinauatrës dhe të një grupi rebel të PPP-së. Parlamenti u thirr të hënën në një sesion të jashtëzakonshëm për të zgjedhur një kryeministër të ri dhe Vejajiva, 44 vjeç, është kandidati më i favorshëm. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është quajtur grusht i fshehtë shteti nga përkrahësit e Taksin Shinauatrës, i cili edhe vetë është rrëzuar nga ushtria në vitin 2006, pasi ka qeverisur Tajlandën për më tepër se pesë vjet. Shinauatra, biznesmen i fuqishëm, 59 vjeç, jeton në mërgim për t'i shpëtuar dënimit dhe hetimeve të ndryshme për korrupsion në vendin e tij. I urryer nga elitat tradicionale dhe nga një pjesë e klasave të mesme në Bangkok, ai admirohet nga masat rurale në veri dhe verilindje të Tajlandës.