Braun viziton ushtarët në Afganistan

Kryeministri britanik Gordon Braun, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Afganistan ka falënderuar ushtarët e Britanisë së Madhe për shërbimin e tyre në këtë vend. Braun u takua me ushtarët britanikë në provincën jugore Helmand, ku të premten u vranë katër ushtarë britanikë. Në fjalën e tij, ai dënoi ashpër talebanët për shfrytëzimin e fëmijës kamikaze që shkaktoi shpërthimin. Burime qeveritare dhe ushtarake bënë të ditur se Mbretëria e Bashkuar ka përforcuar kontigjentin e saj në Afganistan prej rreth 8 100 trupash, me 300 ushtarë të tjerë. Ky përforcim është bërë me qëllimin e ahpërsimit të fushatës kundër talebanëve në zonën përreth Lashkar Gah, kryeqendra e provincës jugore të Helmandit. Braun falenderoi ushtarët për kurajon e tyre, ndaj siç e quajti ai, një zinxhiri terrori që vjen nga malet e Pakistanit drejt kufirit afgan dhe që zbret deri në qytetet e Britanisë. Më pas kryeministri britanik mbërriti në Kabul, për bisedime me presidentin Hamid Karzai. Gordon Braun, e kishte vizituar Afganistanin për herë të fundit në muajin gusht të këtij viti. Ndërkohë që prej vitit 2001, në Afganistan janë vrarë më se 130 ushtarë britanikë.