Bramerc: Mlladic duhet çuar në Hagë

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, Serzh Bramerc deklaroi të premten se ka pasur një përmirësim të rëndësishëm në bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e Hagës. Bramerc i bëri këto komente në raportin e tij më të fundit në Këshillin e Sigurimit. Ai veçoi si shembull arrestimin nga autoritetet serbe të ish-udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karaxhic dhe ish-këshilltarin e tij, Stojan Zupljanin. Por kryeprokurori Bramerc theksoi përsëri rëndësinë e arrestimit dhe dorëzimit në Hagë të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladic dhe të ish-udhëheqësit serbo-kroat Goran Haxhic. Bramerc tha se Bosnje-Hercegovina vazhdon t'i hapë arkivat dhe të sigurojë dokumentet e kërkuara, por u bëri thirrje autoriteteve atje, që t'i dyfishojnë përpjekjet për hetimin e rasteve të krimeve të luftës dhe ndjekjen e personave përgjegjës. Ai u shpreh po ashtu se Kroacia është përgjigjur pozitivisht ndaj shumicës së kërkesave për ndihmë, por theksoi se zyra e tij vazhdon të përpiqet të ketë akses tek disa arkiva dhe dokumente. Ndërkohë që sipas prokurorit për krime lufte në Serbi Vladimir Vukcevic, kërkimet për kapjen e komandantit serb në luftën e Bosnjes Ratko Mladic kanë vazhduar sërish. Kërkimet e fundit janë përqendruar në qytezën e Arandjelovacit, 60 kilometra larg kryeqytetit Beograd. Kryetari i Këshillit për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës në Serbi, Rasim Ljajic, tha se policia ka kërkuar në shtëpinë e një të dyshuari si pjesëtar i rrjetit që mbështet Mlladicin, por pa sukses. Sipas autoriteteve serbe, duke zbuluar rrjetin e Mlladicit, mund të arrihet edhe në kapjen e kriminelit të luftës.