E Diel, 1 Nëntor 2026

Tajvani insiston në marrëdhënie të mira me Kinën

Kryenegociatori i Tajvanit me Kinën deklaroi sot se marrëdhëniet e ishullit me Kinën nuk janë dëmtuar nga pakoja e armatimit, të cilën SHBA-ja e ka paraparë për Tajvanin, duke theksuar se negociatat për tregti do të vazhdojnë sipas orarit të paraparë.

Washingtoni muajin e kaluar miratoi marrëveshjen në vlerë prej 6.4 miliardë dollarë për shitje të armatimit Tajvanit, përfshirë këtu edhe raketa Patriot, helikopterë Black Hawk dhe pajisje për komunikim.

Shitja e armatimit ka nxitur brenga në Pekin dhe ka detyruar Kinën që të ndërpret kontaktet ushtarake me Washingtonin, por Kina mund të “dënojë” edhe Tajvanin, duke anuluar negociatat për paktin gjithëpërfshirës tregtar.

Sidoqoftë, kryenegociatori i Tajvanit me Kinën, Chiang Pin Kung, tentoi të minimizojë brengat se marrëveshja për armatim me SHBA-në mund të dëmtojë marrëdhëniet e ishullit me Pekinin.

“Pasi që marrëveshja për armatim nuk është ndonjë gjë e re, besoj se ajo nuk do të kërcënojë negociatat e radhës. Së paku deri me tani, marrëveshja për armatim nuk ka pasur ndonjë efekt negativ”, tha Kung.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›