Ukrainë, filorusi Janukoviç mund Timoshenkon
Presidencialet
Sipas exit-polleve të para të shpërndara menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, lideri i opozitës dhe kandidati filorus, Viktor Janukoviç, ka mundur Kryeministren Julia Timoshenko në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan dje në Ukrainë. Sipas exit-pollit të realizuara nga Instituti Kombëtar Exit Poll, kandidati Janukoviç ka fituar zgjedhjet presidenciale me 48.7 për qind të votave, ndërsa Timoshenko 45.5 për qind të votave. Edhe një tjetër exit-poll i realizuar nga instituti “Gfk” Ukraina ia atribuon fitoren Janukoviç. Të dy kandidatët kishin kërcënuar në prag të votimit se do të zbrisnin në rrugë për të manifestuar me protesta nëse do të kishte shkelje. Sipas të dhënave të para, pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 46 për qind. Më e lartë ajo ka qenë në zonat lindore të vendit, ku zgjedhësit mbështesin kandidatin Janukoviç. Frika më e madhe e analistëve është ajo që humbësi të mos pranojë rezultatin dhe të organizohen protesta. Rikthimi i Janukoviç mendohet se do ta fusë sërish Ukrainën nën sferën e ndikimit rus, ndërkohë që ky vend është shumë i rëndësishëm edhe për transportin e gazit nga Rusia në Europë. Sipas analistëve, një rezultat i tillë do të heqë çdo shpresë të Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe do të rriste shanset që Rusia të vazhdojë të mbajë flotën e saj detare në Krime. Sipas vëzhguesve, e ardhmja e Ukrainës është në pikëpyetje për sa u përket marrëdhënieve të saj me Perëndimin. Suksesi i tij është rezultat i hidhur i mbështetësve të zjarrtë të Revolucionit të Portokallinjtë, të vitit 2004, i cili rrëzoi nga pushteti Janukoviç dhe vendosi në krye të vendit Presidentin Jyshçenko, i njohur për qëndrimin properëndimor. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen sot.
#