Palin: SHBA-ja t’i shpallë luftë Iranit
E preferuara e konservatorëve në SHBA, Sarah Palin, theksoi se mendon se presidenti i SHBA-së, Barack Obama, duhet t’i shpallë luftë Iranit.
Në intervistën dhënë kanalit televiziv, Fox News, ish-kandidatja e republikanëve për zëvendëspresidente theksoi se Obama duhet të luaj në letrën e luftës, nëse dëshiron të rizgjidhet president në vitin 2012.
“Të themi se ai ka vendosur që t’i shpallë luftë Iranit apo se ka vendosur të ndërmarrë të gjitha masat, për të mbështetur Izraelin, gjëra këto të cilat unë do të dëshiroja që ai t’i bëjë. Sulmi ushtarak mund të ndryshojë dinamikën e asaj që mund të ndodhë që nga tani, e deri pas tri viteve”, tha Palin.
Ish-guvernatorja e Alaskës gjithashtu theksoi se nuk mendon se Obama do të rizgjidhej president, po të mbaheshin zgjedhjet sot.
Ajo këtë deklaratë e bëri, në momentin kur SHBA-ja dhe aleatët e saj po bëjnë përpjekje për t’i imponuar Iranit një rreth të ri të sanksioneve, për shkak të programit të vet bërthamor.