E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, shpërthen centrali elektrik. Dhjetëra të vdekur, qindra të plagosur

Bilanci i parë i shpërthimit foli për 50 të vdekur dhe 250 të plagosur

Janë vërtet dramatike lajmet që vijnë nga centrali elektrik në Midëlltaun në Konektikat. Bilanci i parë i shpërthimit të impiantit, sipas burimeve mjekësore, foli për 50 të vdekur dhe qindra të plagosur. Numri i tyre mendohet se është 250, sipas televizionit lokal WFSB që citon guvernatorin e Konektikatit,  Jodi Rell. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe është ndier rreth 15 kilometra përreth epiqendrës, aq sa popullsia në fillim ka menduar se bëhej fjalë për një tërmet. “Tronditja ishte shumë e fortë saqë në fillim kujtuam se ishte tërmet dhe dolëm me vrap jashtë shtëpive tonë. Por shumë shpejt pamë flakë dhe tym që vinte nga larg, pikërisht nga vendi ku ndodhet centrali elektrik”, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Imazhet e televizionit lokal tregonin pamje të reve të mëdha e të zeza tymi sipër impiantit. “Ka trupa të pajetë gjithandej”, tha një dëshmitar. “Në punë ishin të paktën 50 persona”, tha kreu i zjarrfikësve lokalë. Megjithatë, shumë dëshmitarë flasin se numri i të vdekurve ka arritur në 100. Mjetet e ndihmës së shpejtë i afroheshin me shpejtësi impiantit ndërsa të plagosurit transportoheshin me shpejtësi për në spital me helikopter. Një dëshmitar tjetër ka pranuar se shpërthimi ka ndodhur gjatë një testi i sistemeve të gjenerimit të energjisë. Shpërthimi u konfirmua edhe nga drejtori i përgjithshëm i impiantit, Gordon Holk, i cili gjithashtu nuk hodhi poshtë mundësinë e viktimave. Impianti që funksiononte me gaz ishte ende në ndërtim e sipër. Ndërkaq që dëshmitarët thonë se kanë parë trupa të pajetë gjithandej, mendohet të jenë konfirmuar vetëm dy trupa të pajetë. Një nga dy kullat nga e cila përbëhej impianti është rrëzuar plotësisht. Ndërkaq, “Connecticut State Representative”, Matthew Lesser, që jeton jo shumë larg nga impianti ka thënë për BBC-në: "Shtëpitë dhe dritaret u lëkundën shumë, ndërsa miqtë tanë që jetojnë më afër raportojnë për dëmtime serioze me shtëpinë. Me sa është kuptuar impianti funksion me gaz dhe në momentin e shpërthimit po bëheshin disa testime. Megjithatë, asgjë nuk është e qartë për momentin. Prioriteti ynë kryesor është që të sigurohemi që mos ketë të vdekur”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›