E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim i nivelit të lartë të vendeve të Amerikës së Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama gjendet në Guadalahara të Meksikës për takimin e parë të nivelit të lartë të vendve të Amerikës së Veriut, ku gripi i shkaktuar nga virusi H1N1, tregtia dhe lufta e Meksikës kundër narkotikëve janë në krye të rendit të ditës.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë pritet të paraqesin një plan të përbashkët kundër gripit A-H1N1, ndërsa për çështjet e tjera kanë ende mosmarrëveshje.

Presidenti meksikan, Felipe Kalderon, i tha dje vonë Presidentit Obama se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me shpejtësi për t'i dërguar Meksikës 1,4 miliardë dollarë në ndihmat e premtuara për të luftuar krimin e organizuar.  100 milionë dollarë janë vonuar pasi disa ligjvënës amerikanë janë të shqetësuar rreth akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut nga ushtria meksikane.

Gjatë një takimi 45 minutësh me Presidentin Calderon, zoti Obama shprehu mbështetjen e tij të fuqishme për luftën e Meksikës kundër karteleve të drogës, ndërkohë që theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut.

Të dy presidentët patën më pas një darkë pune me Kryeministrin e Kanadasë, Stiven Harper. Të tre udhëheqësit do të  takohen përsëri sot para se Presidenti Obama të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Një nga çështjet me shumë rëndësi të këtij takimi të nivelit të lartë të udhëheqësve të Amerikës së Veriut është rigjallërimi i ekonomive të të tri vendeve. //iç//


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›