E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora mbi 24 orë pa ujë të pijshëm

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Pushuesit e Vlorës po hasin çdo ditë problemet me dritat e ujin e pijshëm. Që nga mbrëmja e së shtunës, rreth 80 për qind e qytetit nuk është furnizuar me ujë të pijshëm, ndërsa një pjesë e zonës së Kalasë edhe pa energji elektrike për rreth 2 orë. Shkak për këtë defekt të radhës është bërë djegia e një transformatori në nënstacionin pranë lagjes "Kala". Dalja jashtë pune e këtij transformatori që u përcjell energji pompave të ujit të pijshëm që furnizojnë pjesën më të madhe të qytetit ka bërë që qytetarët dhe shumë pushues të mbesin pa ujë. Ata janë detyruar që të mbushin ujë me bidona në zonën e kalasë dhe të Ujit të Ftohtë, me mjete motorike dhe biçikleta. Sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes së elektrikut, pas djegies së transformatorit u morën masa për ta lidhur stacionin e pompave nga një linjë tjetër, por ajo linjë nuk mbante më shumë se një orë sepse kishte mbingarkesë. Menjëherë i është bërë kërkesë Drejtorisë të Tensionit të lartë për të zëvendësuar transformatorin sepse nuk ka tjetër rezervë. Por, procedurat e zgjatura dhe ardhja e transformatorit nga Lushnja ka bërë që të vonohet mbërritja e tij. Përfaqësuesit e ndërmarrjes elektrike premtuan se në orët e vona të mbrëmjes do të vihet në funksion transformatori i ri. Djegia e transformatorit në nënstacionin e kalasë dyshohet se është djegur nga luhatja e tensionit të lartë ose mbingarkesa në këto sezon të popullimit disa herë më tepër të qytetit të Vlorës nga turistët ose nga defekti në linjën e tensionit të lartë në "Kala". Nga ky defekt mbeti pa energji për rreth 2 orë zona nga "Kalaja" deri pranë "Ujit të Ftohtë".
Nga ana e tyre, përfaqësues të ndërmarrjes së ujësjellësit pohojnë se pas defektit kanë kontaktuar me ndërmarrjen elektrike. Por, ka dështuar dhe lidhja me linjën tjetër, duke bërë që qytetarët të mos furnizoheshin gjatë gjithë ditës së djeshme. Ata thonë se me mbërritjen e transformatorit të ri do të punohet gjithë natën dhe vetëm mëngjesin e sotëm mund të rinisë furnizimi me ujë të pijshëm. Përsëritja e shpeshtë e këtyre defekteve për nevojat kryesore ka shkaktuar pakënaqësi te shumë pushues që kanë zgjedhur Vlorën këtë verë. Sipas tyre, nëse ndodh ndonjë defekt, zgjidhja duhet të jetë e shpejtë, duke mos krijuar orë e ditë pa drita e ujë të pijshëm. Që nga fillimi i këtij sezoni, pronarët e hoteleve janë ankuar herë pas here se kanë probleme me prenotimet, çka ka sjellë dhe ulje të të ardhurave për këtë verë. Ata pohojnë se është hera e parë që në këtë periudhë gushti të mos ketë mbipopullim të ambienteve hoteliere, duke ia vënë fajin drejtuesve të institucioneve që nuk kanë marrë për të përballuar këto kriza. Është vera e parë që qyteti i Vlorës po përjeton "krizë" në numrin e pushuesve, duke mos mbajtur vendin e parë në frekuentimin e tyre. Problemet e ujit dhe energjisë u shfaqën që në fillim të sezonit, çka bëri që një pjesë e madhe e pushuesve të tërhiqnin prenotimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›