Beqaj: Qipro bëri Italinë të vuajë
Qipro nuk është skuadër e lehtë për t'u mundur, pavarësisht se në një miqësore si ajo e së mërkurës rezultati kalon në plan të dytë. Këtë e pohon edhe Arjan Beqaj, portieri i Kombëtares shqiptare që luan prej disa sezonesh në kampionatin qipriot dhe e njeh mirë futbollin dhe kombëtaren e këtij vendi. "Një pjesë e lojtarëve që janë grumbulluar në përfaqësuesen qipriote luajnë te skuadra ime, Anorthosis dhe unë i njoh mjaft mirë ata. Kostandinu, Garpozis, Magros, apo Okas, janë vërtetë lojtarë shumë të mirë. Kjo do të jetë një ndeshje miqësore, por sigurisht që asnjëra nga ekipet nuk e dëshiron humbjen. Gjithsesi, un mendoj se do të jetë një ndeshje jo e lehtë për Shqipërinë, pasi Qipro është një skuadër e konsoliduar dhe të mos harrojmë se i ka hapur shumë punë ekipeve si Italia (humbi 2-1), apo Irlanda (humbi 1-0)", ka thënë Beqaj. Miqësorja e 12 gushtit është një mundësi e pastër për të eksperimentuar dhe gardiani që aktivizohet te Anorthosis, shpreson që në këtë takim t'u jepet mundësia të rinjve. "Kjo do të jetë një mundësi e mirë për të rinjtë e Kombëtares shqiptare - ka shtuar beqar - Ata kanë nevojë të përshtaten në ekip dhe për këtë u nevojitet hapësirë. Sigurisht që do të jetë edhe një mundësi për të testuar ekipin para dy ndeshjeve të rëndësishme kundër Danimarkës dhe Suedisë. Unë shpresoj që disa nga të rinjtë e grumbulluar të mund ta kalojnë provën dhe të vërtetojnë se janë gati për ekipin kombëtar, pasi një skuadër solide ka gjithnjë nevojë për përforcime dhe për grintën e të rinjve". Beqaj nuk luan në një ndeshje zyrtare prej më shumë se katër muajsh, pas dëmtimit që pësoi në shpatull. Ai ndodhet ende në belgjikë ku i është nënshtruar një terapie kuruese dhe sipas lojtarit gjithçka ka ecur mirë deri tani. J. Halilaj