Pas ultimatumit, Berisha-Kuzhe kokë më kokë
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka komunikuar dy ditë më parë me sulmuesin kuqezi, Besart Berisha dhe i ka sqaruar atij arsyet se përse e ka lënë jashtë. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë stafit të përfaqësueses shqiptare, të cilat konfirmojnë gjithashtu se trajneri kroat, menjëherë pas ndeshjes kundër Qipros do të nisë një tur në Gjermani, ku do të shohë nga afër disa nga lojtarët shqiptarë që aktivizohen atje. Gjatë udhëtimit në Gjermani, Kuzhe pritet të takohet edhe me sulmuesin e Arminia Bielefeldit për të sqaruar gjithçka me biondin.
Polemikat
Berisha, i pakënaqur nga lënia jashtë në ndeshjen kundër Qipros lëshoi një deklaratë bombë, ku thoshte se në rast se nuk do të kontaktohej nga trajneri Kuzhe ose nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, do ta mendonte seriozisht largimin e tij nga përfaqësuesja kuqezi. "Mendoj se nuk kam përkrahjen e duhur. Unë nuk jam lojtar që herë mund të thirrem dhe herë jo. Për kombëtaren kam rrezikuar karrierën dhe jam gati të jap gjithçka për të, por kjo situatë nuk më pëlqen. Nëse trajneri Kuzhe, ose presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk do të më kontaktojnë për të më sqaruar se përse jam jashtë, atëherë do ta mendoj seriozisht largimin nga përfaqësuesja", pati deklaruar 24-vjeçari dy ditë më parë në të përditshmen kosovare "Sport". Gjithsesi, tani duket se gjithçka është qetësuar, por e ardhmja e lojtarit do të vendoset pasi të ketë komunikuar drejtpërdrejtë në Gjermani, me teknikun kuqezi.