E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kinezët e njihnin Shqipërinë nga filmat

 

Duket e çuditshme, gati qesharake kur dëgjon Mevlan Shanajn, Sandër Prosin, apo Yllka Mujon të flasin kinezçe. Dhe është edhe më e pabesueshme të mendosh se Kina e madhe shihte plot admirim prodhimet e Kinostudios "Shqipëria e Re".  Ishin vitet e dashurisë shqiptaro-kineze dhe ndër të paktat gjëra që Shqipëria mund të "eksportonte" ishin filmat artistikë e dokumentarë, që vëllezërit kinezë preferonin t'i dublonin në gjuhën e tyre. Kanë kaluar vite që prej atyre kohëve të arta, megjithatë në Kinë vazhdojnë të qarkullojnë ende kaseta të filmave shqiptarë. Madje shumë kinezë, kryesisht ata të moshës së mesme, e njohin Shqipërinë përmes prodhimeve kinematografike, përmes heroizmit të Mevlan Shanajt tek "I teti në bronz", Rikard Ljarjes tek "Rrugë të bardha", apo Marie Logorecit në rolin e Lokes, tek filmi "Toka jonë"... "Thjesht mbresëlënëse! Ndjeja se shqiptarët ishin vëllezërit tanë", - thotë Zhang Xiaoyu, një mesoburrë punëtor, teksa komenton për "China Daily", filmin shqiptar "I teti në bronz", të cilin e kishte parë në vitin 1975. Ai thotë se "ka një lidhje të veçantë me vendin e vogël ballkanik", një lidhje kjo që vazhdon deri më sot. Zhang i përket atij brezi të vjetër kinez, që ka përjetuar "muajin e mjaltit" mes Kinës dhe Shqipërisë në vitet 1960-1970. Aso kohe një numër i madh filmash shqiptarë vërshuan në Kinë dhe për çudi ushtruan një ndikim të fuqishëm mbi popullin kinez. Ata pranuan nga vendi i vogël himnin e popullit të revolucionit, në veçanti krenarinë e tyre kombëtare. Për shkak të angazhimit të saj këmbëngulës në ndërtimin e socializmit së bashku me Kinën, Shqipëria u quajt nga Kina si një "pishtar i ndezur i socializmit në Evropë". Për shkak të politikës propagandistike, të kohës, filmat e prodhuar në atë periudhë ishin kryesisht me tematikë nga Lufta Antifashiste Nacional
Çlirimtare, që ishin edhe më të preferuarit për shikuesin kinez, si dhe filmat entuziastë për ndërtimin e socializmit. Aktorët dhe regjisorët shqiptarë, si Hysen Hakani, Viktor Gjika, Pirro Milkani, etj., gëzonin në Kinë thuajse të njëjtin popullaritet, si edhe në Shqipëri. Duke u kthyer pas në histori, Shqipëria është një nga vendet e para që vendosi lidhje diplomatike me Kinën dhe shumë shpejt dha një kontribut të rëndësishëm për pranimin e ligjshëm të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Universiteti i Studimeve të Huaja në Pekin, një nga universitetet më të njohura të gjuhëve në Kinë, nisi të japë kurse speciale në gjuhën shqipe për studentët kinezë, të cilët mësonin mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare, në fillim të viteve '60. Shumë të frymëzuar nga kultura shqiptare, ndërsa shumë të tjerë erdhën në Shqipëri, për të ndihmuar në ngritjen e veprave të ndryshme industriale. 
"Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë kanë qenë shumë të mira në vitet '60-'70. Ne jemi miq shumë të mirë", - thotë ambasadori shqiptar në Kinë Maxhun Peka, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, në një intervistë për "China Daily"
Megjithatë, për shkak të rrugëve të ndryshme që të dy vendet zgjodhën në zhvillimin e ekonomisë së tyre kombëtare, marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Shqipërisë kishte filluar të ngecin në vitin 1978. "Ashtu si dy vëllezërve që zihen me njëri-tjetrin, dy vendet gradualisht u bënë të huaj mes tyre",  shton Zhang Xiaoyu, teksa kujton me nostalgji vitet e miqësisë mes dy vendeve. Fatmirësisht, situata mori një kah pozitiv pas viteve '90, kur në Shqipëri u rrëzua muri i diktaturës gjysmë shekullore. "Kemi pasur ulje-ngritjet tona, por tanimë, Kina dhe Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të mira", thotë ambasadori shqiptar. Gjë që vërtetohet nga vizitat e ndërsjella të udhëheqësve të dy vendeve gjatë viteve të fundit. Në shtator të vitit 1993, Qian Qichen, zv/kryeministër dhe ministri i jashtëm kinez, vizitoi Shqipërinë dhe pas tri vitesh, presidenti i asaj kohe, Sali Berisha vizitoi Kinën. Në fillim të mijëvjeçarit të ri, në korrik të vitit 2002, këshilltari i shtetit Wu Yi vizitoi Shqipërinë. Për t'u ndjekur në vitin 2006 nga zv/kryeministri Hui Liangyu. Në prill të këtij viti u shënua 60-vjetori i marrëdhënieve dy palëshe kur kryeministri Sali berisha vizitoi Kinën, duke theksuar edhe një herë miqësinë, tashmë tradicionale mes dy popujve, ashtu siç e kujton punëtori Zhang Xiaoyu. Tanimë nuk është koha e "revolucionit kinez" dhe kinematografia shqiptare nuk është më as aq prodhimtare dhe as aq revolucionare si dikur. Megjithatë shkëmbimet kulturore vijojnë. Tirana ka njohur edhe javën e filmit kinez, ndonjë film shqiptar udhëton drejt Kinës e kineastët shqiptarë flasin për radiot kineze me nostalgji për vitet e vëllazërisë së madhe.

Në më të mirat
"Ngadhënjim mbi vdekjen", kështu titullohet albumi muzikor me kolonat zanore të filmave më të mirë në të gjithë botën. Një album ky, i cili ka dalë në Kinë me nismën e Cui Jong Juanit, i cili realizoi këtë përmbledhje të rrallë muzikore. Albumi mban titullin e filmit "Ngadhënjim mbi vdekjen", një prej filmave shqiptarë më të preferuar në Kinë, kolonën zanore të së cilit e ka krijuar kompozitori Feim Ibrahimi.

Radio në shqip
Plot 35 vjet më parë, në qershor të vitit 1969, kur Shqipëria e Kina gëzonin vëllazërinë e tyre të madhe, Radio Pekini filloi transmetimin e saj në gjuhën shqipe. Fryma e lartë revolucionare dhe ngjarjet e mëdha që ndodhnin në Kinë, filluan të flisnin shqip. Sot një redaksi e këtij emisioni, e përbërë nga tetë kinezë dhe një shqiptar transmeton tre herë në ditë, për tre orë e gjysmë në gjuhën shqipe për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës e diasporës, por jo më për revolucionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›