Takim me veteranët e filmit shqiptar
Emrat e tyre, për brezin e sotëm, tingëllojnë edhe të panjohur. Por i kanë kushtuar një jetë filmit. Nasi Shamija, Fahri Jukniu dhe Beqir Vaqarri, sot janë pensionistë. Për vite të tëra kanë punuar në Kinostudio, në stafin teknik të realizimit të filmave. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tyre, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon sot, ora 19:00, në sallën e kinemasë së këtij institucioni një aktivitet për kineastët. “Takim me veteranët e filmit shqiptar”, realizuar në bashkëpunim edhe me Forumin e Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë, do t’i kushtohet punës së tri kineastëve. Gjatë aktivitetit do të shfaqen pamje filmike nga karriera e tyre, ndërsa do t’u lihet vend urimeve dhe vlerësimeve të kolegëve që kanë punuar me ta. Të tre këta kineastë të vjetër kanë filluar punë në vitin 1959 dhe kanë punuar mbi tre dekada pranë ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Nasi Shamia lindi më 22 mars 1931 në Korçë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Pragë në Fakultetin e Inxhinierisë, në vitet 1954-1958, duke u specializuar për kimi. Diplomën e mbrojti për përpunimin e filmave. Më 20 shkurt 1959 fillon punë si inxhinier në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në laboratorin e filmave, ku ishte i pari kuadër i lartë në këtë sektor. Fahri Jukniu, inxhinier dhe operator zëri, lindi në Shkodër, më 13 gusht 1929. Kreu shkollën e mesme teknike “7 Nëntori”, në degën elektrike më 1959. Punoi deri në 1954 si teknik në Radio Shkodra. Më pas, në vitin 1954, niset për studime në Pragë, ku vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Në vitin 1958 u diplomua si inxhinier për Teknikën e Studiove të Filmit. Më 22 prill 1958 u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” në repartin e zërit. Operatori Beqir Vaqarri lindi në 7 mars 1930 në Tiranë. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” filloi punë më 2 shkurt 1959 dhe u mor fillimisht me ndriçimin gjatë xhirimit të filmave, punoi në laboratorin fotografik, asistent operator etj. Gjatë punës në sheshin e xhirimit përkrah operatorëve dhe regjisorëve më në zë të Kinostudios, u njoh me kamerën, teknikën e xhirimit, të ndriçimit, fotografisë dhe kompozimin. Në fillim të viteve ‘80, pas gjithë kësaj përvoje, kaloi pranë sektorit të filmit vizatimor si operator, duke xhiruar shumë filma vizatimorë si p.sh “Pipiruku pret dy miq”, “Qershiza mendjelehtë”, “Zogu pushbardhë”, “Perandoria me kokë poshtë” etj.
#