Legjenda e Rozafës
Kalaja e Rozafës nuk përfaqëson vetëm dhe thjesht një monument kulture. Brenda mureve të saj, rrënojave të mbetura edhe sot në këmbë, nuk është e qartë ku mbaron legjenda e ku fillon historia. Por ndonëse kanë kaluar shekuj, kjo legjendë nuk i ka humbur plotësisht “ithtarët” e saj. Të bindura se gruaja e murosur është simbol i mëmësisë, femra që duan të bëhen nëna apo të tjera që sapo kanë lindur, vijnë të kërkojnë bekimin.
Ngritur mbi një kodër, me rrugën e kalldrëmtë që gjarpëron deri në hyrje (mund të zgjedhësh ta bësh në këmbë ose me makinë) kalaja e Shkodrës mbetet një grishje për të gjithë turistët. çdo vit e vizitojnë më shumë. Sidomos gjatë periudhës së verës. Janë kryesisht turistë njëditorë që vijnë nga Mali i Zi, por nuk përjashtohen të tjerët. Kalaja e Rozafës nuk përfaqëson vetëm dhe thjesht një monument kulture. Brenda mureve të saj, rrënojave të mbetura edhe sot në këmbë, nuk është e qartë ku mbaron legjenda e ku fillon historia. Pavarësisht, gjithçka duket mistike dhe e këndshme për veshin e turistëve. Legjenda e Rozafës është familjare për të gjithë shqiptarët. Të huajve ndoshta u duken edhe mbetje folklorizmash, të trashëguara nga më herët. Rozafa është gruaja që u flijua, u muros së gjalli për të përmbushur profecinë: duhej një kurban që muret të qëndronin në këmbë. Nga ana tjetër, duke cituar Barletin e duke e datuar ilire si kala, flitet edhe për historinë e dy motrave Roza dhe Fa që themeluan së pari këtë qytet. Kalojmë harkun e portës kryesore dhe ndalojmë dy hapa më tej. Hyrja është thuajse një tunel i errët që të çon në oborrin e parë të kalasë. Në një udhëtim të pak kohëve më parë, së bashku me drejtorin e monumenteve të Kulturës të Shkodrës, Ervin Gjinin, ndalëm në një prej këtyre harqeve që përshkojnë në pjesën anësore të gjithë gjatësinë e hyrjes. Njërin prej tyre, vendosur në anën e djathtë, e kanë pagëzuar si “varri i Rozafës”. E ndërsa ndër vite është kërkuar vërtetësia e kësaj legjende, na ka ndodhur jo rrallë të dëgjojmë: “Atje pikon ende qumësht”. I referoheshin pikërisht kërkesës së Rozafës, e sapo bërë nënë që t’i linin një sy jashtë për të parë fëmijën, një gji jashtë për ta ushqyer dhe një këmbë për ta përkundur. Muri i këtij harku është më i bardhë se të tjerët. Duke e marrë vetëm si sfond legjendën, shumica duken të vetëdijshëm se lëngu i bardhë që rrjedh në këtë mur është ujë gëlqeror. Prej këtej vjen ngjyra. Gjini afrohet, tregon me gisht, prek murin dhe shkërmoq ndër gishta materialin e mbetur. Tund kokën dhe thotë se është pikërisht uji gëlqeror që i jep ngjyrën. Por ndonëse kanë kaluar shekuj, kjo legjendë nuk i ka humbur plotësisht “ithtarët” e saj. Gjini tregon se ka ende fanatikë që i besojnë fuqisë së legjendës së Rozafës. Të bindura se gruaja e murosur është simbol i mëmësisë, femra që duan të bëhen nëna apo të tjera që sapo kanë lindur, vijnë të kërkojnë bekimin. Dashur pa dashur, ndonëse ky fenomen në ditët e sotme nuk ndodh në masë, ato pak femra që vijnë aty e shohin si një vend të shenjtë të pjellorisë. Sot mund të quhet një rit pagan, mund të tundësh edhe kokën duke mos u besuar atyre që të takon të dëgjosh, por kjo ndodh. Legjenda e Rozafës për këto gra nuk është vetëm një rrëfim që vjen nga thellësia e kohëve. Ato i besojnë. Më tej na tregojnë se ngjitja e tyre deri në kala nuk është vetëm një vizitë e thjeshtë e ndonjë lutje para këtij harku. Gratë marrin pak nga materiali i bardhë i murit që më pas ta përziejnë në ujë e ta pinë. Nënat e reja besojnë se kështu do të kenë më shumë gji për të rritur fëmijën e tyre, ndërsa të tjerat mendojnë se ky lëng mund të bëjë mrekullinë. Nëse ecën më tutje, ciceroni të rrëfen më shumë histori, të tregon ndërtimin e kalasë, tri oborret e saj, betejat që ka duruar, të udhëheq në muzeun ku ndodhen disa objekte që materializojnë historinë...Nga lart, pamja që të ofrohet është ekzotike. Mund të përhumbesh në minuta të tëra duke parë këtë bukuri natyrore. Ndërsa në kthim, në rrugën që të çon drejt daljes kujtohesh edhe një herë për Rozafën, për legjendën, historinë dhe jetën e dytë në besimin e disa njerëzve.
#