Takim mes Ramës dhe Berishës, më pas negociata mes teknicienëve
Zbardhet formati i bisedimeve dhe grupet që do të përfaqësojnë PD-në dhe PS-në në takimin e 13 shkurtit. Në tryezën e ndërmjetësuar nga Presidenti, i cili është menduar të luajë një rol jo thjeshtë ndërmjetësi, por do të jetë “mbi palët”, do të ulet zoti Berisha, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i PD-së, Astrit Patozi, njëherësh edhe kryetar i Grupit Parlamentar, dhe në anën tjetër, kryetari i PS-së, Edi Rama, bashkë me Gramoz Ruçin, kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të PS-së. Sipas mediave, tryeza e së shtunës do të jetë vetëm nisja e bisedimeve mes palëve. Në ditët në vijim do të vazhdojnë takimet mes ekspertëve të të dyja forcave politike. Burimet brenda selisë rozë bëjnë të ditur se Partia Socialiste ka përgatitur një draft, që pritet të kthehet në ligj përmes votimit në Kuvend për mënyrën se si do të bëhet hetimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Dokumenti që pritet të paraqesë PS-ja do të jetë në qendër të bisedimeve mes Ramës dhe Berishës, të cilët do të japin pëlqimin e tyre në parim. Por, gjithçka do të nisë duke iu referuar Rezolutës së miratuar më 29 janar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Pas përfundimit të takimit të ditës së shtunë, ekspertët e atashuar pranë drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ata do të përpilojnë draftet që bazohen te Rezoluta dhe kushtet e parashtruara nga palët, për të mbërritur në një dokument final që synon të përcaktojë pikat dhe vullnetin e përbashkët të dy grupeve për zgjidhjen e krizës. Dokumenti, pasi të marrë miratimin, do të firmoset nga dy kryetarët e partive, zoti Berisha dhe zoti Rama. Burime bëjnë të ditur se një pjesë e negociatave do të jenë të rezervuara për mediat.
11 Shkurt 2010