Opsioni i ndërkombëtarëve, hapje kutish me short
Albert Gjoka
Vetëm pak orë para zhvillimit të tryezës së bisedimeve mes Berishës dhe Ramës po artikulohet nga ndërkombëtarët edhe një opsion që do të shtrohet në tavolinë për hapjen e kutive në mënyrë selektive, duke shmangur një proces verifikimi në bllok të fletëve të votimit në qarqet e kërkuara nga PS-ja. Burime për gazetën pohojnë se ky është ndër propozimet e mbështetura edhe nga ndërkombëtarët, e cila synon në njërën anë që të kënaqë pjesërisht edhe kërkesën e vazhdueshme të PS-së për transparencën e plotë të procesit, por, në anën tjetër, është një propozim që mund të pranohet edhe nga Partia Demokratike, pasi nuk përfshin verifikimin e të gjitha kutive. Ka gjasa që shorti do të jetë mënyra se si do të bëhet selektimi i kutive në që do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit. E gjitha kjo do të jetë pjesë e punës që do të bëjë komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Burime brenda selisë rozë kanë bërë të ditur se për mënyrën se si do të realizohet hetimi dhe për punën e komisionit, do të ketë një draft në formë projektligji, i cili është hartuar nga ekspertët e PS-së dhe që do të shtrohet për diskutim mes palëve dhe më pas do të votohet në seancë plenare.
Kushtet
Ndërkombëtarët kanë skicuar një kornizë kushtesh, të cilat do të jenë pjesë e negociatave që do të udhëheqë Presidenti Topi mes PD-së dhe PS-së në takimin e së shtunës. Tashmë, përfaqësuesit e trojkës në Tiranë kanë dalë në mbështetje maksimale të Presidentit Topi në rolin e tij prej negociatori në bisedimet mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Edi Rama. Në kushtet kur Shqipëria pret viston për heqjen e vizave dhe ndodhet në procesin e përgatitjes së Pyetësorit, i cili pason me dhënien e opinionit nga KE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, përfaqësuesit e Brukselit në Tiranë do të parashtrojnë përmes presidentit angazhimet e përbashkëta mes palëve dhe daljen nga kriza aktuale. Synimi kryesor është dhënia fund e bojkotit të PS-së dhe gjetja e modaliteteve se si do të bëhet hetimi për zgjedhjet të 28 qershorit përmes komisionit hetimor parlamentar. Hapja e pjesshme e kutive është një ndër opsionet e mbështetura nga ndërkombëtarët jo vetëm përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë, por edhe në vendet e ndryshme të BE-së. Gjithsesi, nuk jepen të dhëna për modalitetet se si është menduar që të realizohet një gjë e tillë.
Bllokimi i axhendës
Bojkoti i opozitës pas zgjedhjeve të 28 qershorit ka bllokuar axhendën euroatlantike të Shqipërisë. Parlamenti nuk arrin të kalojë në procedurë votimi një sërë paketash ligjore, të cilat kërkojnë procese të tilla si liberalizimi i vizave apo marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Që prej dhjetorit të vitit 2009 qeveria ka angazhuar të gjitha kapacitetet për plotësimin e Pyetësorit, por klima politike e tensionuar ka tkurrur ndjeshëm ritmet për plotësimin e tij, me gjithë nxitimin për ta përfunduar në një afat kohor prej 3 muajsh. Stabiliteti politik është një ndër parakushtet e shtruara në të gjitha këto procese. Disa projektligje që kanë të bëjnë me reformën në fushën e Drejtësisë kanë mbetur në sirtarët e Kuvendit, pasi kërkojnë shumicë të cilësuar votash. “Nëse një shtet nuk arrin dot të zgjidhë problemet e brendshme, atëherë ai nuk është pjekur për në BE”, - tha europarlamentari Svoboda në një intervistë dhënë pak ditë më parë për seksionin shqip të Dojçe Veles.
Në momentin kur axhenda e proceseve euroatlantike është e atrofizuar, mbi tryezën e Berishës dhe të Ramës, më 13 shkurt, do të jenë edhe kushtet e shtruara nga ndërkombëtarët, të cilat janë të artikuluara mbi bazën e një sërë raportesh dhe dokumentesh, si ai i OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, raporti i Këshillit të Europës, Raporti i Progresit të Komisionit Europian etj. Kushti kryesor është vazhdimi i reformës zgjedhore nga partitë politike. Rekomandimet e dhëna nga OSBE-ja në raportin final për zgjedhjet parlamentare janë baza mbi të cilën do të rinisin negociatat mes palëve. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare kërkojnë që procesi të nisë sa më shpejt, pasi nuk ka kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet vendore, të cilat pritet të zhvillohen pas një viti. Në funksion të zgjidhjes së krizës mbështetësit e Presidentit do të kërkojnë garanci nga krerët e dy partive politike për një zhvillim procesi të ndershëm dhe të lirë. Po ashtu, faktori ndërkombëtar do të kërkojë angazhim nga dy aktorët kryesorë për vazhdimin e reformave në fushën e Drejtësisë, si kushte të kërkuara për qarkullimin e lirë të shqiptarëve në zonën “Shengen” dhe vijimin normal të reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat. Përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën janë shtuar pas fillimit të vitit të ri dhe u intensifikuan me miratimin e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila gjeti mbështetje edhe nga strukturat më të rëndësishme të BE-së. Pas kërkesës që Strasburgu i bëri Presidentit Topi që të luajë rolin e ndërmjetësit, atij i kanë ofruar mbështetje ambasadorët e Spanjës (vend i cili ka presidencën e radhës së BE-së), Gjermanisë, SHBA-ve, por edhe shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Lohan dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Bosh.
Kushtet
1- Hetimi i zgjedhjeve, duke përfshirë edhe opsionin për hapje selektive të kutive.
2- Vazhdimi i reformës zgjedhore pasi vendi ndodhet para zgjedhjeve vendore.
3- Vazhdimi i reformave në Drejtësi, të cilat janë pjesë e proceseve euroatlantike.
Zgjedhjet sipas raporteve të ndërkombëtarëve
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u vlerësuan në të gjitha raportet si më të mirat e zhvilluara gjatë 20 viteve të fundit, por, sipas institucionit që certifikoi procesin zgjedhor, “ato nuk i realizuan të gjitha standardet e kërkuara”. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it vlerësuan Kodin Zgjedhor, i miratuar në mënyrë konsensuale, listat e zgjedhësve dhe futjen në përdorim të kartave të identitetit. Po ashtu, nota pozitive morën edhe procesi i votimit, roli i policisë etj. Ndër kritikat që iu bënë procesit ishin; mënyra e zhvillimit të fushatës zgjedhore, përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë, procesi i numërimit, i cili në 1/3 e qendrave ishte keq dhe shumë keq, si dhe presionet që u ushtruan mbi Kolegjin Zgjedhor. Ndër çështjet më të kritikueshme nga ndërkombëtarët ishte humbja e besimit nga ana e qytetarëve te procesi zgjedhor, për të cilën u fajësuan dy kampet politike në vend. Përtej vlerësimeve, zgjedhjet e 28 qershorit nuk sollën pranimin e rezultatit nga PS-ja, e cila mori vendimin për bojkotin e Kuvendit deri në këtë periudhë.
11 Shkurt 2010