E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në Superlige, shiten ndeshjet

Futbollistët Albert Kaçi dhe Maringlen Shoshi, të dy futbollistë të Apolonisë, si dhe Elton Grami (aktualisht te Flamurtari) e Erjon Hoti (aktualisht te Gramozi), janë paditur nga klubi i futbollit “Apolonia” me akuzën e rëndë të trukimit të ndeshjeve me qëllim të pastër përfitimi. Lajmi ësht bërë publik gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp të presidentit të Apolonisë, Baftjar Zeqo (njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së qytetit të Fierit), shefit të klubit Iljaz Haxhiaj dhe drejtorit të kontrollit të brendshëm në shoqërinë aksionere Apolonia, Andi Derhemi. Drejtuesit e Apolonisë kanë njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit, por dhe nga Prokuroria zbardhjen e çështjes.

AKUZA
Albert Kaçi, mesfushori shkodran i Apolonisë, akuzohet – por dhe e ka pranuar edhe vetë – se ka vendosur 10 mijë dollarë amerikanë kundër skuadrës së tij, për të humbur tërë ndeshjen, por dhe pjesën e parë në takimin e Shkumbini-Apolonia, të përfunduar me rezultatin e pastër 3-0 dhe të vlefshëm për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Shefi i klubit, Haxhiaj, i cili më parë kishte pasur sinjalizime të forta e bindëse se lojtarët kishin vepruar në dëm të skuadrës, duke mos u impenjuar gjatë ndeshjes në fjalë. Drejtuesit e klubit vendosën ta pezullonin Kaçin në ndeshjen pasardhëse, atë kundër Flamurtarit (edhe kjo e mbyllur 2-0). “Ky lojtar, Kaçi, ma ka pranuar vetë, ndërsa 3 të tjerët janë të dyshuar për momentin, kështu që do të presim përfundimet që do të nxjerrë Prokuroria”, tha Haxhiaj. Në fakt, shkodrani Kaçi, i cili e nisi sezonin si lojtar i Teutës, në minutën e 5-të të ndeshjes kundër Shkumbinit shkaktoi penallti, të realizuar më pas nga mesfushori i peqinasve, Ilirjan Çaushaj. Ndeshja u fitua nga Shkumbini 3-0. Sipas burimeve nga klubi fierak, Kaçi, një anësor këmbëmajtë shumë teknik ka thënë: “E bëra se isha në vështirësi financiare. Nuk jam vetëm unë, por të tjerët nuk i tregoj edhe sikur të shkoj në burg”. Ish-futbollistit të Vllaznisë i është komunikuar edhe vendimin për pezullimin e futbollistit Albert Kaçi deri në përfundim të hetimeve.

7 NDESHJE
Kryetari i Bashkisë dhe presidenti i klubit Baftjar Zeqo, i zgjedhur në këtë detyrë pas dorëheqjes së Endri Pukës (ky i fundit u vetëlargua pas ndeshjes së humbur me Dinamon në kryeqytet) foli me tone të ashpra, duke pohuar se të paktën janë shtatë ndeshje të dyshuara. Zeqo shkoi me tej në deklarimin e tij, se përveç futbollistëve të lidhur me trukimet e rezultateve janë përfshirë edhe tifozë të ndryshëm. “Duhet ta kuptojë opinioni publik se askush nuk mund të shkelë mbi interesat e klubit të Apolonisë. Këta futbollistë nuk mund të vazhdojnë të bëjnë atë që kanë bërë deri tani dhe pastaj në shkallët e stadiumit të akuzohet ky apo ai kot. Janë 7 ndeshjet e fundit që ata janë përfshirë në këto trukime. Këta tifozë që ulërasin duan ca lekë dhe këto lekë këta i marrin duke vënë lloto. Por, kjo ndodh vetëm duke pasur lidhje me futbollistë brenda ekipit. Ky nuk është modeli që kërkon të ndërtojë Apolonia dhe ne do t’i çojmë këta njerëz aty ku e meritojnë”.

KONTRASTI I PIKËVE
Apolonia nën drejtimin ish-trajnerit boshnjak, Esad Karishik, ishte duke bërë një nga sezonet më të mira të saj, duke qenë një pretendente e qartë për një vend në Kupat e Europës. Në fakt, Karishik dha dorëheqjen në mënyrë të papritur nga klubi fierak, pikërisht në javën e 10-të, pas një humbje me Kastriotin në shtëpi, me rezultatin 2-3 (7 nëntor 2009), pasi më parë udhëhiqte 2-1. Në dhjetë javët e Karishikut, Apolonia kishte grumbulluar 10 javët e para 17 pikë dhe mbante vendin e tretë, me po aq pikë sa Tirana e vendit të katërt, dhe vetëm me një pikë më pak se Besa e vendit të dytë. Largimi i Karishikut solli afrimin në stol të trajnerit Hasan Lika, i cili nga ana e tij ishte shkarkuar nga Vllaznia pas javës së 5-të të këtij edicioni. Përpara ndeshjes së javës 14-të, Shkumbini-Apolonia (21 dhjetor 2009), Apolonia ndodhej po në vendin e tretë, me 21 pikë, po aq sa Tirana e vendit të katërt, ndërsa Shkumbini renditej në vendin e 8-të me 15 pikë, gjashtë më pak se Apolonia. Fitorja 3-0 e Shkumbinit me Apoloninë ishte dhe më e thella e asaj javë, duke qenë edhe surpriza e javës. Presidenti i Apolonisë, Zeqo, pohoi se ai dyshonte në shtatë ndeshjet e fundit të ekipit të tij. Nëse në 13 javë, Apolonia kishte grumbulluar 21 pikë, në shtatë javët e fundit (14-20), skuadra fierake ka grumbulluar vetëm 4 pikë. Bilanci: 1 fitore, 1 barazim, 5 humbje, 3 prej të cilave radhazi, me Gramozin (1-0, në Ersekë), Besën (2-0, në Fier) dhe Flamurtarin (2-0, në Vlorë).

GRAMI-SHOSHI
Në ndeshjen e fundit në kampionat, Apolonia humbi 2-0 me Flamurtarin në Vlorë. Golin e parë për skuadrën e vlonjate për ironi të fatit e shënoi mbrojtësi Elton Grami, pikërisht ish-lojtari i Apolonisë dhe i akuzuar për trukim ndeshjesh nga klubi fierak. Midis dy palëve ka pasur kohët e fundit marrëdhënie të mira. “E kisha parandjerë se do të fitonim ndaj bardhejeshilëve (Apolonisë). Mirëpo fati e solli që të isha unë i pari, ai do që do të ndëshkonte Apoloninë”, - citohet Grami nga gazeta sportive “Panorama Sport”. Për të marrë kartonin e Gramit nga Apolonia, presidenti i Flamurtarit, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, kishte paguar 10 mijë euro. Maringlen Shoshi, një prej titullarëve të Apolonisë të dyshuar për trukim të ndeshjeve, pohoi për gazetën në fjalë, se fajtor për tri humbjet radhazi kishin të bënin me aspektin psikologjik të lojtarëve, por dhe me gjykimet e njëanshme. “Ishte një humbje e pamerituar, për të mos thënë e dhuruar apo parapërgatitur”, - akuzon përmes “Panorama Sport” gjyqtarët e ndeshjes Flamurtari-Apolonia. Gjithsesi, Shoshi,

SHTATË NDESHJET E DYSHURA

Java 10: Apolonia-Kastrioti 2-3
Java 14: Shkumbini-Apolonia 3-0
Java 16: Tirana-Apolonia 4-1
Java 17: Apolonia-Skëndërbeu
Java 18: Gramozi-Apolonia 1-0
Java 19: Apolonia-Besa 0-2
Java 20: Flamurtari-Apolonia 2-0

Kontrasti i pikëve
Apolonia
Javët 1-13:
21 pikë nga 39 të mundshmet
(0.53 për qind të pikëve)
Bilanci: 6 fitore, 3 barazime, 4 humbje

Javët 14-20:
4 pikë nga 21 të mundshmet
(0.19 për qind të pikëve)
Bilanci: 1 fitore, 1 barazime, 5 humbje

Në total
Javët 1-20
25 pikë nga 60 të mundshmet
(0.41 për qind të pikëve)
Bilanci: 7 fitore, 4 barazime, 9 humbje

Skandali
Edhe pse është përfolur shumë në media në rreth të ngushtë për trukime ndeshjesh e rezultatesh, është hera e parë që paditet zyrtarisht një lojtar, për më tepër që ky e pranon publikisht.

45 mijë euro
Mesfushori shkodran që luan për Apoloninë, ka vënë 10 mijë Euro për transfertën që fierakët kryen ndaj Shkumbinit, dhe koeficenti llogaritet të paktën 4.5. Pra futbollisti ka fituar 45 mijë Euro.

Precedenti i ndëshkimeve

Apolonia pas humbjes me Kastriotin (2-3) në “Loni Papuçiu” ndëshkoi dy nga lojtarët kryesorë të saj, më 10 nëntor 2009, pikërisht vetëm tri ditë pas ndeshjes së humbur, më 7 nëntor Mbrojtësi Elton Grami u pezullua deri në fund të kontratës së tij 3.5 –vjeçare, ndërsa Maringlen Shoshi u gjobit me 1 milionë lekë të vjetra për shkak të fyerjeve ndaj shokëve të ekipit të tij. Në fakt, vetëm Grami u largua nga Apolonia, pasi më pas, Shoshi, edhe me këmbënguljen e pasuesit të Esad Karishikut, trajnerit Hasan Lika, u fal dhe u rikthye në ekip.

7 vjet burg
Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri ne 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në 3 milionë lekë. Futja e kësaj dispozite në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka bërë të mundur hetimin për çdo dyshim të trukimeve në sport dhe do të parandalojë zhvillimin e këtyre fenomeneve shkatërruese në sport dhe do të ndikojë në zhvillimin e një sporti të pastër dhe larg “këmbëve të pista”.

Vllaznia dhe Tirana në hetim nga UEFA

Vllaznia dhe Tirana janë përfshirë zyrtarisht në hetimin e organizuar nga UEFA për dyshime në fiksimin e rezultateve, ku sipas qeverisë së futbollit europian janë shtatë ndeshje ndërkombëtare. Përveç dy klubeve shqiptare janë dhe FC Dinaburg e Letonisë, NK IB Ljubljana e Slovenisë dhe Budapest Honved i Hungarisë. UEFA futur në listën e saj të hetimeve edhe të dyja ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Europës midis Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë së Shkodrës, të fituar nga skuadra austriake 5-0 në Vjenë dhe 3-0 në Shkodër. Bashkë me këto janë dhe ndeshjet Bnei Yehuda Tel-Aviv FC - Bnei Yehuda Tel-Aviv FC dhe NK IB Ljubljana and Metallurg Donetsk. UEFA dyshon se ndeshja e kthimit e turit të dytë kualifikues midis Stabaek dhe Tiranës, e përfunduar 4-0 në favor të norvegjezëve është e trukuar. Takimi është luajtur, më 21 korrik 2009. Takimi i parë në “Qemal Stafa” kishte përfunduar 1-1. Si dyja klubet shqiptare, si Vllaznia, përmes presidentit të saj, Valter Fushaj, ashtu dhe Tirana, përmes presidentit Refik Halili, i hodhën poshtë akuzat, duke deklaruar se janë të pastër. Deri tani, nga UEFA, të paktën zyrtarisht nuk ka ardhur ndonjë i autorizuar prej saj të Shqipëri për të kontaktuar me dy klubet shqiptare.

Mafia e rezultateve

Alarm i konsiderueshëm për infiltrimin e organizatave kriminale në botën e futbollit. Alarmi vjen nga një raport shqetësues i “Financial Action Task Force”, organizata ndërkombëtare që fokusohet në evidentimin e e trajtimin e pastrimit të parave. “Po shtohen rreziqet e riciklimit të parave të pista. Vështirësitë ekonomike, mungesa e profesionalizmit të menaxhimit, shumat ‘racionale’ për financimin e maksi-blerjeve. Pa llogaritur këto statusin shoqëror që përfiton duke u vendosur në krye të një klubi. Ja gjërat e padëshiruara që po godasin sektorin e futbollit”. Kriminelët kanë treguar përshtatje në gjetjen e kanaleve të rinj të pastrimit të parave apo aktiviteteve ilegale në sport, duke e shndërruar atë në një aktivitet të pastër kriminal me rrezik të përhershëm. Me rritjen ekonomike të sportit, sidomos në dy dekadat e fundit, veçanërisht në futboll, paraja gradualisht nisi të ushtrojë influencë në botën e sportit.

KOMPANITË E BASTEVE

Tregu i futbollit profesionist i është nënshtruar një rritje të madhe, falë procesit të komercializimit të tij që nga fillimi i viteve 1990. Paratë e investuara operohen kryesisht nga të ardhurat e të drejtave televizive dhe korpororatave investuese. Tregu i punës në futboll për lojtarët profesionistë, kontratat e tyre, transferimi nga një vend në tjetrin, çon edhe transferimin e parasë kesh nga një vend në tjetrin. Vënia e basteve në sport ofron një tjetër mundësi të jashtëzakonshme të “fluturimit” të parasë përtej kontrollit të trupit qeveritar. Falë strukturës së saj të veçantë ajo ofron mundësi të pafundme financiare për të rekrutuar klube, zyrtarë dhe lojtarë. Futbolli ka ndryshuar filozofinë e tij në nga një sport popullor në një industri globale, me një rritje ekonomike të jashtëzakonshme dhe funksione sociale në nivele të ulëta. Përmes kësaj industrie janë zhvilluar shumë forma kriminale, përfshirë edhe pastrimin e parave.

PËRSE ZGJIDHET FUTBOLLI

Futbolli është sporti më i madh në botë. Janë 38 milionë futbollistë lojtarë të regjistruar dhe 5 milionë gjyqtarë e zyrtarë. Futbolli luhet në të gjithë botën dhe është sporti popullor në shumë vende. Për të dhënë një ide për rritjen e futbollit në Europë, të ardhurat në total në pesë kampionate më të mëdha, Angli, Gjermani, Itali, Spanjë e Francë, arrijnë nga 2.5 miliardë në sezonin 1996-1997 euro 7.9 miliardë në sezonin 2007-2008. Në këto kampionate luajnë lojtarët më të mirë në botë. Tregu i futbollit evropian në total arrin në 13.8 miliardë euro, prej të cilave 4.2 miliardë dollarë shkojnë për pagesat e lojtarëve, për vetëm 96 klube të këtyre pesë ligave më të mëdha europiane.

NDESHJET SHQIPTARE TË DYSHUARA

Skuadrat shqiptare janë përfolur sistematikisht vitet e fundit për trukime ndeshjesh, jo vetëm brenda kampionatit vendës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Jashtë aludimeve për afera të pista nuk ka mbetur as Kombëtarja shqiptare, e cila shpesh është vënë në qendër të kritikave për rezultate të dyshimta.

1990-1991: Tomori–Traktori 6-5
1990-1991: Besa-Traktori 6-5
1991-1992: Selenica-Tirana 4-2
1992-1993: Pogradeci–Kastrioti 1-6
1992-1993: Besa–Tirana 7-1
1994-1996: Shqipëri-Uells 1-1
2002-2003: Besa – Partizani 5-4
2006-2008: Rumani-Shqipëri 6-1
2002-2003: Dinamo-Brondbi 0-4
2003-2004: Dinamo-Lokeren 0-4
2003-2004: Partizani-Birkikara 4-2
2003-2004: Vllaznia-Dandi 0-2
2004-2005: Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin 1-6
2004-2005: Dinamo-Otelul Galati 0-4
2005-2006: Ekranas-Elbasani 3-0
2007-2008: Bezhanija-Besa 2-2
2007-2008: Besa-Liteks Loveç 0-3
2007-2008: Slaven Belupo-Teuta 6-2
2009-2010: Vllaznia-Rapid 0-3, 0-5
2009-2010: Stabaek-Tirana 4-0

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›