E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet Mediu-Delijorgji, sekuestro fimimeve

 

Prokuroria e Përgjithshme bën gati urdhrat e sekuestrimit të kasetave dhe regjistrave në Ministrinë e Mbrojtjes

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme është në pritje të Kuvendit për të kryer veprime hetimore për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas burimeve zyrtare pranë grupit hetimor mësohet se me heqjen e imunitetit, pritet të sekuestrohen disa prova materiale të rëndësishme për çështjen e Gërdecit,që ndodhen brenda institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes. "Gjatë ditëve në vazhdim, pritet që të urdhërohet sekuestrimi i një sërë provash materiale që ndodhen në Ministri. Ndër provat kryesoret janë regjistrat e shënimeve të personave që kanë hyrë në ministri dhe pamjet filmike që ndodhen në këtë institucion, të regjistruara nga kamerat e sigurisë të instaluara rreth dikasterit të Mbrojtjes"-thuhet nga burimet. Sipas tyre, sekuestrimi i kasetave dhe hard-disqeve të kompjuterit do të përfshijë një kohë relativisht të gjatë, nga dhjetori 2006 deri në mars të 2008.

***

Prokurorët e çështjes e kanë argumentuar arsyen e sekuestrimit të këtyre materialeve me verifikimin e ndonjë takimi të mundshëm mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe presidentit të kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji apo edhe me persona të tjerë që janë përfshirë në aferat e mundshme të përfitimit të të mirave materiale nga demontimi i municioneve ushtarake në fshatin Gërdec. Gjithashtu, grupi hetimor, edhe pse nuk i ka sekuestruar këto prova materiale ngre dyshimet se në kaseta apo regjistrat e hyrje-daljeve mund të jetë bërë ndonjë ndërhyrje apo fshirje e pamjeve që evidentojnë hyrjet në Ministrinë e Mbrojtjes të personave që janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme. "Marrja si provë e këtyre pamjeve filmike dhe libri i regjistrit të personave që kanë hyrë dhe dalë nga institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes, do të faktojë dyshimet e ngritura se deputetit Mediu dhe administratori i "Albademil", Delijorgji janë takuar në këtë institucion",-sqarojnë prokurorët.

***

Gjatë prononcimeve në kohë të ndryshme të ish-ministrit Mediu në media, ky i fundit ka mohuar faktin se kishte dijeni që në këtë fabrikën e demontimit është i përfshirë Delijorgji. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në kërkesën dërguar Kuvendit të Shqipërisë, vë në dukje se një nga arsyet e heqjes së imunitetit të deputetit Mediu është ngritja e dyshimeve që ish-ministri me dashje ka favorizuar kompaninë "Albademil" dhe "SAC", ku me veprimet dhe mosveprimet e tij, këto dy kompani kanë arritur të fitojnë shuma të konsiderueshme parash duke dëmtuar interesat e shtetit. Sipas prokurorisë, hetimet gati dymujore kanë rezultuar se përveç tre të pandehurve që ndodhen në qelitë e paraburgimit "Jordan Misja" (313), Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, është i përfshirë duke shpërdoruar detyrën edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Qeveria parashikon trajtimin e familjarëve të mbetur pa shtëpi deri 2 muaj pas tragjedisë

Banorët e Gërdecit, në  Kavaleshencë deri më 15 maj

TIRANË- Kavaleshenca e Durrësit do të jetë në dispozicion të të pastrehëve të Gërdecit, deri më 15 maj. Pas kësaj date nuk dihet se ku do të qëndrojnë 360 banorët e fshatit të fatkeqësisë, shtëpitë e të cilëve janë krejt të rrënuara. "Periudha e trajtimit të familjarëve të akomoduar në Shtëpinë e Pushimit, Durrës, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme për shkak të aksidentit, do të jetë dy muaj nga data e ndodhjes së kësaj ngjarjeje",-thuhet në vendimin që kaloi dje në Këshillin e Ministrave. Projekt-vendimi i Ministrisë së Brendshme ka pasur si qëllim buxhetin shtesë prej 20 milionë lekësh për Kavaleshencën e Durrësit, e cila po mbulon shpenzimet në ushqim dhe shërbime të tjera për rreth 360 banorët e Gërdecit, që ndodhen të strehuar aty. Qeveria miratoi dje fondin shtesë për Ministrinë e Brendshme, para këto që do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Por në këtë vendim nuk jepet asnjë e dhënë për trajtimin e këtyre njerëzve, pas datës 15 maj. Në relacionin e këtij vendimi thuhet se familjarët e Gërdecit janë trajtuar me ushqim falas, në restorantet e këtij institucioni, me një kuotë ditore prej 700 lekësh për person, e sipas llogarive të Ministrisë së Brendshme, fondi i nevojshëm për të përballuar këtë situatë është 20 milionë lekë. Në projektin e parë, ministri Nishani kërkoi fonde shtesë për banorët e Gërdecit deri në 3 muaj pas tragjedisë së rëndë, por ndërhyrja e Ministrisë së Financave e ka kufizuar kohën e trajtimin në 2 muaj. E ndërsa ditët po ikin, 360 banorëve të Gërdecit, kryesisht gra e fëmijë që janë strehuar në Durrës u duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për strehimin e tyre të mëtejshëm.

VENDIMI

Ankesat, grup i dytë  ekspertësh për Gërdecin

TIRANË- Numri i madh i ankesave në Gërdec për vlerësimin e shtëpive dhe ndërtimeve të tjera të rrënuara gjatë shpërthimeve ka detyruar qeverinë të gjejë një zgjidhje. Gjatë mbledhjes së djeshme është miratuar një shtesë në vendimin për vlerësimin e dëmeve në bashkinë e Vorës, ku parashikohet një vlerësim i dytë i dëmeve. "Në rast ankesash të arsyetuara për vlerësimin apo mosvlerësimin nga qytetarët apo subjektet, ngrihen grupe të reja pune, ku të përfshihen specialistë, sipas fushave përkatëse. Grupet e punës, të ngritura sipas pikës 9 të këtij vendimi ndjekin të njëjtën procedurë vlerësimi, të parashikuar në këtë vendim",-thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Kjo shtesë në vendimin e mëparshëm vjen pas një fluksi të madh ankesash të banorëve në Gërdec, sipas të cilëve komisionet e vlerësimit të shtëpive nuk kanë qenë të drejtë dhe të paanshëm, duke hequr dhe vendosur prona për dëmshpërblim, sipas qejfit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›