E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu-Delijorgji, sekuestro kamerave të Ministrisë

 

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme është në pritje të Kuvendit për të kryer veprime hetimore për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas burimeve zyrtare pranë grupit hetimor mësohet se me heqjen e imunitetit, pritet të sekuestrohen disa prova materiale të rëndësishme për çështjen e Gërdecit, që ndodhen brenda institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes. “Gjatë ditëve në vazhdim, pritet që të urdhërohet sekuestrimi i një sërë provash materiale që ndodhen në Ministri. Ndër provat kryesoret janë regjistrat e shënimeve të personave që kanë hyrë në ministri dhe pamjet filmike që ndodhen në këtë institucion, të regjistruara nga kamerat e sigurisë të instaluara rreth dikasterit të Mbrojtjes”-thuhet nga burimet. Sipas tyre, sekuestrimi i kasetave dhe hard-disqeve të kompjuterit do të përfshijë një kohë relativisht të gjatë, nga dhjetori 2006 deri në mars të 2008.

***

Prokurorët e çështjes e kanë argumentuar arsyen e sekuestrimit të këtyre materialeve me verifikimin e ndonjë takimi të mundshëm mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe presidentit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji apo edhe me persona të tjerë që janë përfshirë në aferat e mundshme të përfitimit të të mirave materiale nga demontimi i municioneve ushtarake në fshatin Gërdec. Gjithashtu, grupi hetimor, edhe pse nuk i ka sekuestruar këto prova materiale ngre dyshimet se në kaseta apo regjistrat e hyrje-daljeve mund të jetë bërë ndonjë ndërhyrje apo fshirje e pamjeve që evidentojnë hyrjet në Ministrinë e Mbrojtjes të personave që janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme. “Marrja si provë e këtyre pamjeve filmike dhe libri i regjistrit të personave që kanë hyrë dhe dalë nga institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes, do të faktojë dyshimet e ngritura se deputetit Mediu dhe administratori i “Albademil”, Delijorgji janë takuar në këtë institucion”,-sqarojnë prokurorët.

***

Gjatë prononcimeve në kohë të ndryshme të ish-ministrit Mediu në media, ky i fundit ka mohuar faktin se kishte dijeni që në këtë fabrikën e demontimit është i përfshirë Delijorgji. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në kërkesën dërguar Kuvendit të Shqipërisë, vë në dukje se një nga arsyet e heqjes së imunitetit të deputetit Mediu është ngritja e dyshimeve që ish-ministri me dashje ka favorizuar kompaninë “Albademil” dhe “SAC”, ku me veprimet dhe mosveprimet e tij, këto dy kompani kanë arritur të fitojnë shuma të konsiderueshme parash duke dëmtuar interesat e shtetit. Sipas prokurorisë, hetimet gati dymujore kanë rezultuar se përveç tre të pandehurve që ndodhen në qelitë e paraburgimit “Jordan Misja” (313), Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, është i përfshirë duke shpërdoruar detyrën edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›