Ankesat, grup i dytë ekspertësh për Gërdecin
TIRANË- Numri i madh i ankesave në Gërdec për vlerësimin e shtëpive dhe ndërtimeve të tjera të rrënuara gjatë shpërthimeve ka detyruar qeverinë të gjejë një zgjidhje. Gjatë mbledhjes së djeshme është miratuar një shtesë në vendimin për vlerësimin e dëmeve në bashkinë e Vorës, ku parashikohet një vlerësim i dytë i dëmeve. “Në rast ankesash të arsyetuara për vlerësimin apo mosvlerësimin nga qytetarët apo subjektet, ngrihen grupe të reja pune, ku të përfshihen specialistë, sipas fushave përkatëse. Grupet e punës, të ngritura sipas pikës 9 të këtij vendimi ndjekin të njëjtën procedurë vlerësimi, të parashikuar në këtë vendim”,-thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Kjo shtesë në vendimin e mëparshëm vjen pas një fluksi të madh ankesash të banorëve në Gërdec, sipas të cilëve komisionet e vlerësimit të shtëpive nuk kanë qenë të drejtë dhe të paanshëm, duke hequr dhe vendosur prona për dëmshpërblim, sipas qejfit të tyre. a.b